Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka pranuar se mungesa e sulmuesve nga Afrika, Otto John e Gauthier Mankenda, do të vërehet në ekipin e tij për ndeshjen e Superkupës kundër Dritës. Por, Ramadani ka insistuar se “bardhekaltrit” do të synojnë ta fitojnë ndaj Dritës trofeun e parë të këtij viti.
Ndeshja e Superkupës së Kosovë në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Dritës do të zhvillohet të shtunën në Antalia të Turqisë, prej orës 12:00.
John e Mankenda do të mungojnë në këtë takim, për shkak se nuk janë pajisur me lejeqëndrim në Kosovë dhe nuk kanë udhëtuar për në Turqi. Në fakt, John është kthyer në Nigeri dhe Mankenda ka mbetur në Prishtinë, kurse skuadra e trajnerit Ramadani ka disa ditë që ka zbarkuar në Antalia për fazën përgatitore në prag të stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll, që nis muajin tjetër.
Kjo do të jetë hera e parë që ndeshja e Superkupës do të zhvillohet jashtë Kosovës dhe është vendosur për në Antalia me kërkesën e të dyja klubeve, të cilat ndodhen për përgatitje në këtë vend bregdetar.
Prishtina dhe Drita janë takuar në kuadër të Superkupës edhe në vitin 2019, ku pati triumfuar ekipi nga Gjilani (2:1). Drita e ka fituar vetëm një herë Superkupën e Kosovës, kurse Prishtina është nëntë herë fituese e këtij trofeu.
Prishtina të martën ka udhëtuar për në Antalia ku do të qëndrojë për dy javë derisa Drita prej së mërkurës është vendosur në këtë bazë të njohur kryesisht për turizëm. Si për Prishtinën, ashtu edhe për Dritën, dueli i Superkupës do të jetë testi i parë dhe i vërtetë në Antalia.
“Për fat të keq kemi dy mungesa, Johnin dhe Mankendan që nuk u pajisën me viza dhe mungesa e tyre do të vërehet në Superkupë. Por besoj se kemi futbollistë që mund ta mbulojnë mungesën e tyre. E rëndësishme është që nuk kemi asnjë lojtar të lënduar dhe kjo më gëzon më së shumti. Sa i përket takimit me Dritën, luhet për trofe dhe do të futemi në ndeshje për fitore, por për asnjë moment nuk kemi hequr dorë nga përgatitja, për shkak se këtu kemi ardhur të përgatitemi për kampionat, e jo vetëm për Superkupë”, është shprehur Ramadani. “Mirëpo, do të futemi të motivuar ndaj Dritës dhe nuk do të dorëzohemi, pasi duam ta fitojmë këtë trofe. Deri më tani në Antalia përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve”.
Krahas trajnerit Ramadani edhe kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, ka thënë se kundër Dritës do të futen për ta fituar ndeshjen dhe trofeun e parë të këtij viti. Megjithatë, ai ka pranuar se kjo aspak nuk do të jetë e lehtë, për shkak se përballë kanë kampionen në fuqi dhe atë të stinorit vjeshtor.
“Dueli me Dritën është i rëndësishëm për të dyja ekipet. Fillimisht është Superkupa që duam ta fitojmë dhe besoj t’ia dalim. Edhe për Superkupë futemi për fitore si në çdo ndeshje por nuk do të jetë lehtë për shkak se edhe Drita ka një skuadër shumë cilësore”, është shprehur Boshnjaku.
Edhe te skuadra e Dritës në ndeshjen ndaj Prishtinës do të futen për fitore. Kështu ka insistuar sulmuesi Kastriot Rexha. Drita e ka mbyllur pjesën vjeshtore në pozitën e parë në tabelë me 41 pikë të mbledhura, nëntë më shumë se Prishtina që renditet e treta.
“Është një përballje shumë e rëndësishme për trofeun e parë të këtij viti dhe sezoni kurse përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë. Është mirë që në start përballemi me Prishtinën, ekip kundër të cilit do të luajmë edhe muajin e ardhshëm në Kupë”, është shprehur Rexha. “Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe kemi besim se do të dalim fitues nga ky takim. Kemi një ekip të komponuar dhe natyrisht që jemi të motivuar për fitore pasi duam ta nisim vitin me trofe”.
Ndeshja do të zhvillohet në “Mardan Stadium” pa praninë e tifozëve dhe do të drejtohet nga arbitrat turk, me stemë të FIFA-s. Kjo është mundësuar pas takimit që Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), e pati të mërkurën me drejtues të Federatës së Futbollit të Turqisë. Prishtina dhe Drita do të përballen edhe në 1/8 e finales së Kupës, duel që do të zhvillohet më 10 shkurt në “Fadil Vokrri”.