Ndeshja në mes të FSV Frankfurtit dhe Elversbergut, e zhvilluar të shtunën, është përshkruar si skandaloze nga mediume të mëdha në Gjermani. Dymbëdhjetë minutat e fundit të ndeshjes mes ekipeve të kategorisë së katërt të Gjermanisë u zhvilluan vetëm në pjesën e fushës së Elversbergut.
Në videon e ndeshjes, që është bërë virale, shihen futbollistët e Elversbergut që endin topin në afërsi të zonës së tyre. Lojtarët e FSV Frankfrutit nuk bënin përpjekje për të marrë topin. Rezultati që ishte u përshtatej të dy ekipeve.
Nga minuta e 68-të në këtë ndeshje të Ligës Rajonale Jugperëndimore të Gjermanisë, që cilësohet e dyshimtë, në fushë ishte edhe ish-lojtari i U21 të Kosovës, Valdrin Mustafa.
Ai u inkuadrua kur rezultati ishte 1:1. Barazimi i mjaftonte ekipit të Mustafës, Elversberg, për ta siguruar matematikisht kalimin në ligën e tretë gjermane dhe FSV Franfurtit të mbetet edhe një edicion në ligën aktuale.
Mustafa të hënën për KOHËN ka rrëfyer dymbëdhjetë minutat e ndeshjes, që po krahasohet me ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Botës të vitit 1982 në mes të Gjermanisë Perëndimore dhe Austrisë. Gjermania pati fituar 1:0 ndaj Austrisë, rezultat me të cilin të dyja vendet kaluan në fazën nokaut. Ajo ndeshje vlerësohet një nga momentet më të errëta në historinë e futbollit gjerman, që ndryshe njihet si “Turpi i Gijonit”.
Mustafa i është gëzuar promovimit, por pranon se nuk është i kënaqur me mënyrën se si shkuan 12 minutat e fundit.
“Unë jam inkuadruar në minutën e 68-të në këtë ndeshje dhe trajneri më ka thënë që të mos e kërkoj topin. Unë shkova në mbrojtje për ta prekur dy herë topin, por trajneri insistoi që unë të qëndroja para. Ka qenë situatë interesante. Është hera e parë që më ndodh në karrierë”, ka thënë Mustafa të hënën për KOHËN.
“Më ka penguar kjo mënyrë e lojës, sepse kam dashur të shënoj gol për të rregulluar statistikat e mia. Por jam i lumtur që ne kemi arritur të ngjitemi në Bundesliga 3. I kam parë reagimet, nuk është pritur mirë kjo mënyrë e lojës. Rezultati ka qenë i përshtatshëm për të dyja palët, pra ne jemi ngjitur në ligën e tretë, ndërsa Frankfurti mbeti në ligë me pikën e fituar”, ka shtuar Mustafa.
Ish-sulmuesi i Shpresave të Kosovës është golashënuesi i dytë më i mirë këtë edicion te skuadra e tij. Ai ka shënuar 14 gola në 29 ndeshje. Ka kontribuar edhe me katër asistime.
“Kam qenë një periudhë i lënduar, i kam pasur të këputura ligamentet, por tani jam mirë. Nuk e di a do të mbetem apo jo në ekip. Nuk kemi biseduar ende për të ardhmen edhe pse klubi është duke kërkuar që të më mbaj më gjatë”, ka thënë Mustafa.