Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Një hulumtim tregon se sportistët rrezikojnë më tepër që t’u përhapet koronavirusi në mushkëri

Foto: Reuters

Hulumtimi nga Gjermania dhe Italia tregojnë se futbollistët dhe sportistët tjerë rrezikojnë që t’u infektohen mushkëritë me koronavirusi, duke ngritur dyshime të mëdha në tentimet për rifillimin e futbollit profesionist, shkruan agjencia Reuters.

Hulumtimi, i bërë nga imunologët italianë dhe specialistët e sëmundjeve të mushkërive me seli në institute të Berlinit, Romës dhe Veronës, ka treguar se për shkak të ushtrimeve të rënda, sportistët elitarë kanë gjasë më të madhe të thithin thërrmijat e virusit dhe të qojnë ato te pjesët më të ulëta të mushkërive.

COVID-19 mund të shkaktojë dëme të mushkërive dhe komplikime si pneumoni dhe në raste më të rënda qon edhe te vdekja.

Në këtë hulumtim po ashtu thuhet se sportistët që janë pa simptome mund të përkeqësojnë gjendjen e tyre duke infektuar mushkëritë me ushtrime të vështira fizike.

Futbolli është pezulluar gati në gjithë botën. Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) u ka dhënë ligave deri më 25 maj afat për të dorëzuar planin për rifillimin e kampionatit.

Edhe Lojtarëve u kërkohen kontrolle të detajuara mjekësore pas koronavirusit Sport Lojtarëve u kërkohen kontrolle të detajuara mjekësore pas koronavirusit

Mirëpo, ligat kanë insistuar se do të kthehen vetëm kur të jetë ambienti i sigurt për t’u luajtur ndeshjet dhe se do të marrin këshilla mjekësore.

Në këtë hulumtim, Paolo Matricardi, Roberto Dal Negro dhe Roberto Nisini, kanë ngritur dyshime në atë nëse është e sigurt të luhen ndeshjet derisa virusi ende të jetë prezent në sasi të madhe.

“Futbollistët profesionistë janë veçanërisht të ekspozuar për shkak të ushtrimeve të shpeshta ekstreme dhe ushtrimeve që zgjasin më tepër. Gjatë ushtrimeve të tilla frymëmarrja është më e thellë. Nuk është rasti, që një numër i madh i futbollistëve profesionistë janë ankuar për temperaturë, kollë të thatë dhe plogështi menjëherë pas, apo vetëm disa orë pas, ndeshjeve të fundit zyrtare”, është shkruar nga autorët e këtij hulumtimi.

Në hulumtim është shtuar se lojtarët që kanë virusin, por nuk shfaqin simptome, mund të keqësojnë gjendjen duke luajtur virusin që të kalojë nga pjesët e epërme të rrugëve të frymëmarrjes për në pjesë e poshtme.

Autorët po ashtu kanë shikuar për rrezikun e shpërndarjes së virusit gjatë një ndeshje.

“Në sporte ku shumë sportistë janë në kontakte të afërta, si në sporte ekipore apo vrapime të maratonës, ka gjasa të mëdha që thërrmijat e virusit të thithen nga sportistët tjerë. Po ashtu duhet cekur se gjatë ushtrimeve të rënda njerëzit pështyjnë shumë më tepër dhe kjo mund të kontribuoj në shpërndarjen e virusit në ambient, veçanërisht nëse sportistët nuk i ndjekin kriteret e distancës sociale”, shkruhet në hulumtim.

Një hulumtim tjetër i Universitetit të Aarhusit në Danimarkë, që ka shikuar se sa shumë ekspozim do të kenë futbollistët nëse një lojtar i infektuar gjendet në fushë, ka treguar, se mesatarisht, një lojtar është në pozitë brenda “zonës se ekspozimit” për një minutë e 28 sekonda gjatë ndeshjes.

Edhe Studimi gjen anomali në mushkëri që shpjegojnë vështirësitë në frymëmarrje pas COVID-19 Lifestyle Studimi gjen anomali në mushkëri që shpjegojnë vështirësitë në frymëmarrje pas COVID-19

Të martën, Asociacioni Botëror i Lojtarëve (WPA), që përfaqëson më tepër se 85 mijë sportistë nga sporte të ndryshme në mbi 60 shtete, ka thënë se garuesit nuk duhet që të detyrohen të kthehen shpejt në sporte.

“Për momentin ka shumë presion nga ligat e të gjitha kontinenteve që të nisin. Lojtarët mund të pajtohen të kthehen vetëm nëse e dinë se interesi i tyre mbrohet”, ka thënë drejtori ekzekutiv i WPA-së, Brendan Schwab.

Unioni Botëror i Futbollistëve (FIFPRO) po ashtu ka kërkuar kujdes.

“Ne na duhen udhëzime dhe protokolle se si të kthehemi në mënyrë të shëndetshme dhe të sigurt. Futbolli është sport i kontaktit dhe ne ndjejmë se duhen standarde shumë të larta të mbrojtjes”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FIFPRO, Johnas Baer-Hoffmann.