Futbollistët e Premier Leagues do të jenë 25 për qind më të tepër të rrezikuar nga lëndimet kur të rifillojnë ndeshjet më 17 qershor. Kjo për shkak të orarit të ngarkuar dhe po ashtu pushimit të gjatë të detyruar nga përhapja e koronavirusit.
Ndërkohë, as në Bundesligë, që ka rifilluar më 16 maj nuk po mungojnë lëndimet. Deri më tash janë zhvilluar tri xhiro prejse kanë rifilluar garat dhe në gjashtë ndeshjet e para u lënduan hiq më pak se tetë futbollistë.
Të ekspozuar ndaj lëndimeve pas rifillimit të garave do të jenë edhe futbollistët e Superligës së Kosovës. Skuadrat elitare javën e shkuar kanë rifilluar me stërvitje grupore, kurse garat do të rinisin javën tjetër.
Më 2 dhe 3 qershor do të zhvillohen ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ndërsa më 5 qershor do të vazhdojnë ndeshjet kampionale. Deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe 11 xhiro të pazhvilluara, kurse orari do të jetë i stërngarkuar, pasi do të ketë ndeshje çdo tri ditë.
Edicioni 2019/20 në Superligën e Kosovës do të përfundojë më 25/26 korrik, brenda afatit të përcaktuar nga UEFA, shkruan KOHA.
Futbolli në Kosovë ka qenë i pezulluar që nga data 13 mars, kur me vendim të Qeverisë u pezulluan të gjitha aktivitetet sportive pas rasteve të para të prekura me koronavirus.
Shqetësimet sa i përket lëndimeve të lojtarëve, i kanë shprehur edhe trajnerët e skuadrave të Superligës. Ata e kanë parasysh se lojtarët nuk janë në formën optimale dhe se koha e shkurtër e përgatitjeve e pushimi i gjatë bënë që ata të jenë dukshëm më të ekspozuar nga lëndimet.
Edhe pse futbollistët në kohën e karantinimit kanë stërvitur në kushte individuale, trajnerët insistojnë se puna individuale dallon shumë prej punës në grup. Kështu që, ata janë të përgatitur se kur të rifillojnë ndeshjet, numri i të lënduarve do të jetë dukshëm më i madh sesa para pezullimit të garave.