Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nis ceremonia hapëse e LOD “Pekini 2022”

Ka nisur ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ceremonia po mbahet në stadiumin “Foleja e Zogut” ndërsa do të defilojnë rreth tre mijë sportistë prej 91 shteteve pjesëmarrëse, të cilët do të garojnë në një numër rekord prej 109 ngjarjeve në më shumë se 15 disiplina në shtatë sporte të ndryshme.

Në këtë ceremoni hapëse do të jetë edhe flamuri i Kosovës, të cilin do ta bartë skitari Albin Tahiri. Kjo do të jetë hera e dytë për Tahirin që do ta bartë flamurin e Kosovës pas Lojërave Olimpike Dimërore të Pyeonchangut të mbajtura para katër vjetësh.

Tahiri në Pekin është dashur ta bartë flamurin së bashku me skitaren Kiana Kryeziu, e cila nuk është lejuar të marrë pjesë në ceremoni, sikurse dhe trajneri Agim Pupovci.

Pupovci ka rezultuar pozitiv me koronavirus në njërin prej testeve të përditshme ndërsa Kryeziu është konsideruar si kontakt i mundshëm me persona tjerë dhe për këtë arsye nuk është lejuar të marrë pjesë në ceremoni.

Krahas Tahirit, ekipi olimpik i Kosovës që do të parakalojë në ceremoninë hapëse, përbëhet edhe nga Bujar Turjaka (shef i misionit), Jeton Beqiri (zyrtar ndërlidhës për Covid-19), Musa Selimi (anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut) dhe Kushtrim Krasniqi (përgjegjës për media).

Ceremonia nisi me disa performues në skenë dhe intonimin e himnit kombëtar të Kinës.

Kosova do të parakalojë e 54-ta prej 91 ekipeve olimpike në këtë ceremoni.

Image
Artikuj të ngjashëm