Sulmuesi Neymar është i vendosur të mbetet pjesë e Paris Saint-Germainit edhe pas përfundimit të sezonit aktual. “Le Parisien” raporton të martën se Neymari ka njoftuar drejtuesit e klubit se nuk e ka ndërmend të largohet në verë, përkundër që është nxjerrë në shitje.
PSG-ja është e gatshme ta shesë Neymarin nëse merr një ofertë deri në 70 milionë euro për brazilianin, i cili nuk ka treguar stabilitet këtë sezon.
Ai tashmë e ka përfunduar sezonin para kohe për shkak se do t’i nënshtrohet operimit të nyjës së këmbës të djathtë dhe do të pauzojë të paktën katër muaj. Te Parisi nuk janë të kënaqur me Neymarin, i cili ka kontratë me klubin deri në vitin 2025 me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Këtë edicion, ai ka shënuar 18 gola dhe ka bërë 17 asistime për Parisin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2017 nga Barcelona.