Sport

Newcastle triumfon bindshëm ndaj Chelseat

Newcastle Unitedi ka triumfuar bindshëm ndaj Chelseat, të shtunën në kuadër të xhiros së 13-të në Premier League. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “St. James Park”, Newcastle fitoi me rezultatin e thellë 4:1.

Me këtë fitore, Newcastle ka tubuar 23 pikë dhe zë vendin e gjashtë në tabelë, ndërsa Chelseat mbetet në kuotën e 16 pikëve në vendin e dhjetë.

Pjesa e parë e këtij takimi, u mbyll me shifrat 1:1. Sulmuesi Alexander Isak në minutën e 13-të kaloi në epërsi Newcastlen. Dhjetë minuta më vonë, Chelsea barazoi shifrat me golin e Raheem Sterlingut nga gjuajtja e lirë.

Në pjesën e dytë, vendasit shënuan edhe tri gola për ta konfirmuar fitoren. Mbrojtësi Jamal Lascelles në minutën e 60-të, riktheu epërsinë e Newcastlet, përpara se një minutë më vonë, Joelinton të shënoi për 3:1.

Deri në fund të takimit, Anthony Gordon realizoi edhe golin e katërt për Newcastlen në minutën e 83-të.

Chelsea në 15 minutat e fundit luajti me një lojtar më pak, pasi kapiteni Reece James u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë.