Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Neville: Premier League e frikësuar ta mbështesë publikisht vazhdimin e stinorit

Premier League dhe klubet po frikësohen që publikisht ta mbështesin vazhdimin e stinorit, pasi nuk duan të shihen si fajtorë në rast se dikush vdes nga koronavirusi, ka thënë analisti televiziv Gary Neville të dielën, shkruan agjencia Reuters.

Futbolli profesionist është pezulluar që nga mesi i marsit për shkak të pandemisë COVID-19, që ka infektuar mbi 182 mijë persona në Britani të Madhe dhe janë regjistruar mbi 28 mijë të vdekur.

20 klubet e Premier Leagues kanë mbajtur të premten një video-konferencë në të cilën kanë folur për planet e rifillimit të stërvitjeve këtë muaj, por kanë hezituar të marrin vendim për vazhdimin e stinorit, derisa qeveria të jap leje për këtë.

Qeveria pritet që më 7 maj të marrë vendim për rishikimin e masave kufizuese.

“Unë do t’i respektoja më tepër po të thonin, ‘Ne pranojmë rritjen e rrezikut shëndetësor’. Por, nuk po e bëjnë këtë pasi po frikësohen”, ka shkruar Neville në Twitter.

Kur një person në Twitter e ka pyetur Nevillen se çfarë do të ndodhë nëse stinori rifillon dhe ndonjëri vdes nga koronavirusi, Neville ka shtuar: “Për këtë arsye nuk kemi dëgjuar asnjë shef-ekzekutiv, kryetar, pronar apo ekzekutiv të famshëm që të hap gojën për të mbështetur rifillimin. Ata janë të frikësuar se mund të fajësohen për këtë”.

Edhe Ndeshjet e Premier Leagues do të vazhdojnë të luhen Sport Ndeshjet e Premier Leagues do të vazhdojnë të luhen

Klubet kanë rishikuar planet për rifillimin e stërvitjeve, që fillimisht janë kufizuar në grupe të vogla të lojtarëve, pa përdorim të infrastrukturës të brendshme.

Disa klube kanë nisur stërvitjet individuale në qendrat stërvitore nga java e kaluar. Neville ka thënë se ndonëse e kupton kompleksitetin e situatës, ai thotë se është dëshpëruese që liga dhe klubet nuk po njoftojnë për planet.

“Do të ishte mirë që Premier League të fliste së paku një herë. Kushdo qoftë! Klubet po ashtu”, ka thënë ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit dhe Anglisë.