“Fortuna Arena” quhet stadiumi në Pragë të Çekisë ku do të zhvillohet finalja e Ligës së Konferencës për edicionin 2022/2023. Finalja luhet më 7 qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa do të zhvillohen dhjetëra ndeshje për të përcaktuar se cilat skuadra do të jenë pjesë e saj. Në lojë, ndonëse me gjasa fare të vogla, është edhe kampioni i Kosovës, Ballkani. Por ekipi nga Suhareka nuk duhet të presë qershorin e vitit të ardhshëm për të luajtur në stadiumin e bukur në Pragë.
Lojtarët e Ballkanit do të shkelin fushën e “Fortuna Arena” që të enjten, kur luajnë ndaj Slavia Pragës në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Ndeshja Slavia – Ballkani zhvillohet nga ora 18:45 dhe i takon grupit G të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të kupave evropiane.
Kur është tërhequr shorti, te Slavia, Ballkanin e Sivassporin nuk i kanë cilësuar rivalë atraktivë, duke i nënçmuar kështu. Por nënkampionia çeke luajti vetëm 1:1 në udhëtim ndaj Sivassporit, derisa Ballkani ndali në 1:1 kampionin e Rumanisë, Clujin. Tani te Slavia shprehen më me respekt për Ballkanin, ekipin e parë nga Kosova që ka arritur në fazë grupore të kupave evropiane.
Ballkanin, megjithatë, e pret ndeshje shumë e vështirë në stadiumin e finales.
Slavia në ndeshjet si vendëse po shfaq nivel të lartë, ndërsa vazhdimisht e ka përkrahjen e të paktën dhjetë mijë shikuesve.
Slavia të dielën fitoi 6:1 ndaj skuadrës Çeske Budejovice. 6:0 e kishte fituar edhe ndeshjen e parafundit në stadiumin e saj ndaj Teplices. Edhe më thellë, 7:0, kishte fituar ndaj Pardubices, më 21 gusht. Humbjen e fundit në shtëpi, Slavia e kishte më 15 maj ndaj Sparta Pragës. Prej atëherë, si vendëse, ka fituar 7:0 ndaj St. Joseph’s, 2:0 ndaj Panathinaikosit, 4:1 ndaj Zlinit. 7:0 ndaj Pardubices, 2:0 ndaj Rakoëit, 6:0 ndaj Teplices dhe të dielën 6:1 ndaj Budejovices.
Në disa prej këtyre ndeshjeve në stadium ishin deri në 20 mijë shikues. Përkrahje Slavia pritet të ketë edhe të enjten ndaj Balllkanit.
“Pasi barazoi 1:1 në Sivasspor në xhiron e parë, Slavia Praga mirëpret Ballkanin në atë që do të jetë ndeshja e parë e grupeve në stinorin 2022/23 të Ligës së Konferencave në ‘Eden Park’, stadiumi i Slavias që do ta organizojë finalen më 7 qershor 2023. Skuadra e fundit që ka luajtur finalen e një gare të madhe të UEFA-s në stadiumin e vet ishte Bayerni, që humbi në finale të Ligës së Kampionëve nga Chelsea pas penalltive, në Munih në vitin 2012”, ka shkruar sajti zyrtar i UEFA-s.
“Eden Park” është njëri prej emrave me të cilin njihet stadiumi i Slavias.
Sipas UEFA-s, Ballkani nuk do të jetë kundërshtar i lehtë.
“Slavia arriti deri në çerekfinale edicionin e kaluar dhe ka nisur edicionin 2022/2023 me formë mbresëlënëse në shtëpi. I ka fituar të gjitha ndeshjet si vendëse në kualifikime, duke shënuar 11 gola dhe duke mos e pranuar asnjë. Ballkani megjithatë mund të mos jetë kundërshtar i lehtë të enjten. Ekipi i Ilir Dajës, që është i pari nga Kosova në fazën e grupeve në garat e UEFA-s, filloi me barazimin 1:1 ndaj Clujit”, ka shkruar tutje UEFA.
Slavia të hënën i ka bërë një prezantim të detajuar Ballkanit në faqen zyrtare.
Slavia ka vënë rekord të Çekisë duke shënuar 31 gola në tetë ndeshjet kampionale. Udhëheq në tabelë me 19 pikë, sa i ka edhe Plzeni, por me një ndeshje më pak të luajtur. Slavia i ka pranuar vetëm gjashtë gola në ligë.