Një djalë rreth moshës tetëvjeçare qëndronte ulur afër arenës dhe papritmas filloi të bërtiste me tërë fuqinë që kishte: “Shko John Cena, shko djalosh, shkaktoji dhimbje!“.
John Cena në këtë rast nuk ishte mundësi, profesionist nga SHBA-ja, por një qen pastor i zi, i cili në atë moment kishte mbërthyer rivalin e tij në një luftë të mbuluar me gjak, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo ishte vetëm një prej 13 luftërave të qenve që u mbajtën në një stadium brenda një dite të vetme në fund të muajit të shkuar, si pjesë e “Nowruzit”, festës së vitit të ri persian. John Cena nuk e lëshoi rivalin e tij, një qen me emrin German, derisa gjyqtari e shpalli fitues. Pas kësaj, pronarët e tyre i tërhoqën qentë, derisa Cena u brohorit nga të gjithë si kampion i vërtetë, edhe pse ishte i përgjakur. Për dallim prej vendeve të tjera, në Afganistan këto luftëra të qenve mbahen hapur, pa ndonjë frikë nga ndjekja penale.
Në fakt, një polic me emrin Ahmad Fawad ishte në detyrë, por shkopin e tij e përdorte për të mbajtur nën kontroll kafshët që po luftonin njëra me tjetrën. Vendi ishte një arenë publike në mes të Mazar-i-Sharif, qytet në veri të Afganistanit. Biletat ishin më pak se një dollar për secilën luftë të qenve, kurse morën pjesë mijëra spektatorë që brohorisnin pa u ndalur.
Në Afganistan ka shumë sporte të përgjakshme që bëhen pa u kontrolluar nga askush, pavarësisht kundërshtimit dhe kritikave të brezit të ri të arsimuar.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)