Te Kosova janë krenuar shpesh që në përfaqësuese ka futbollistë që luajnë në ligat më të forta në Evropë. Njëri prej tyre ishte Valon Berisha. Ai ishte në Serie A e më pas në Ligue 1, dy prej pesë kampionateve të forta evropiane.
Mesfushori Berisha më nuk bën pjesë në ligat elitare. Ai është larguar nga kampionati i Francës për ta vazhduar karrierën në tjetër kontinent. Nga Reimsi është huazuar te Melbourne City në Australinë e largët. Dhe lëvizjen e papritur e ka bërë në moshën që vlerësohet më e mira për karrierë në futboll, si 29-vjeçar.
Berisha nuk e di nëse pas aventurës në Australi do të mbetet pjesë e Reimsit. Ai thotë se përqendrimi i tij maksimal do të jete te klubi i ri. Të ardhmen thotë se ia lë kohës.
“Jam i huazuar dhe synimi është të qëndroj këtu. Nuk e di e ardhmja se çfarë më sjell. Kam ardhur ta tregoj veten dhe pas këtij sezoni çka vjen e mirëpres. Reimsin nuk e shoh si histori të përfunduar. Kam edhe dy vjet kontratë dhe pas këtij sezoni më mbetet vetëm edhe një vit, por do ta mirëpres çdo gjë që vjen në të ardhmen”, ka thënë Berisha të mërkurën për KOHËN.
Ish-futbollisti i Lazios të mërkurën u prezantua me fanellën e Melbourne Cityt, ndërsa pritet ta bëjë debutimin në ndeshjen hapëse të sezonit 2022/23, më 7 tetor, kundër Western Unitedit.
Ai insiston se vendimi për t’u larguar nga Evropa në drejtim të Australisë është i duhur. Shumë e vlerësojnë hap prapa.
“Ka qenë vendim që e kam marrë personalisht dhe besoj se është vendim i duhur për mua. Bëhet fjalë për një klub të organizuar. Melbourne City ka një organizim të mirë dhe ka synime të mëdha. Dëshirova të bëja një ndryshim personal dhe sigurisht se mund të fitoj një përvojë të re në një kontinent tjetër. Është një ligë krejtësisht ndryshe prej Evropës. Besoj se do të kem një vit të mirë. Uroj të mos kem lëndime”, ka deklaruar Berisha.
Berisha ka luajtur edhe në Bundesligën e Gjermanisë. Pas suksesit me Vikingun në Norvegji dhe Red Bull Salzbugun në Austri, Berisha e vazhdoi karrierën te Lazio. Por, te klubi italian nuk gjeti rehati. Ai u përball me shumë lëndime, ndërsa nga Lazio kaloi një periudhë të huazimit te Fortuna Dusseldorfi. U kthye sërish te Lazio, por u largua sërish. Lazio e shiti te Stade de Reimsi, skuadër me të cilën ka kontratë deri në vitin 2024.
Berisha shpreson të paraqitet sa më shumë për Melbourne Cityn.
“Synimet janë të bëhemi kampion. Do të ishte historike të shpalleshim kampion, pasi asnjë ekip këtu nuk e ka bërë një gjë të tillë tri herë rresht. Melbourne City është dy herë rresht kampion dhe po ta fitonim titullin, do të ishte mirë për mua, por edhe klubin. Do të ishte historike. Edhe kupa është e madhe, pasi e ka shijen e vet. Punën do ta bëjmë dhe uroj të vijnë edhe rezultatet”, është shprehur ish-mesfushori i përfaqësueses së Norvegjisë.
Berisha mund t’i mungojë Kosovës në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Kosova më 24 shtator luan ndaj Irlandës së Veriut në udhëtim, ndërsa pas tri ditësh luan në Kosovë kundër Qipros. Largësia mund t’ia pamundësojë ardhjen te Kosova me gjithë dëshirën.
“Unë jam gjithnjë i gatshëm për Kosovën. Fizikisht jam mirë dhe nëse më thërrasin, unë do të jem i gatshëm të vij të luaj për Kosovën. Por, kjo varet nga Federata dhe trajneri”, ka thënë Berisha.