Sport

Ndonëse në kushte të vështira, atletët po vendosin rekorde shtetërore

Tri rekorde në tri disiplina të ndryshme janë vendosur gjatë këtij vikendi në atletikën kosovare.

Mitingu i parë i hapur i “mbretëreshës së sporteve” është organizuar në dy qytete të ndryshme nga Federata Atletike e Kosovës. Gara nisi të shtunën në Malishevë, ndërsa u mbyll me hedhje të diskut dhe të shtizës të dielën në Mitrovicë, përkatësisht në hapësirën e gjelbëruar të një shkolle në këtë qytet.

Në Malishevë u mbajtën garat e vrapimit në shtegun e atletikës me pesë korsi, ndërsa prapa portave të stadiumit “Liman Gegaj” u organizua edhe gara e hedhjes së gjyles. Pjesëmarrës ishte edhe atleti më i mirë në Kosovë, Muhamet Ramadani.

Nuk pati rekord nga atleti Ramadani, por ishte bashkëvendësi i tij mitrovicas, Alaudin Sumiqi, që të dielën theu rekordin në hedhje të diskut. Të paktën kështu njofton Federata e Atletikës e Kosovës.

Rekord thyen edhe Gresa Bakraqi në 1000 metra vrapim e po ashtu Enis Bytyqi në vrapim 300 metra. Rekordi i tij është i vlefshëm për grupmoshën U-18.

Bakraqi ka thyer edhe rekorde të tjera gjatë këtij viti, kurse Sumiqi, që vlerësohet shpresë e atletikës, theu rekordin personal.

Diskun 2-kilogramësh e hodhi në largësi prej 50.33 metra, 1 metër e 43 centimetra më shumë se vitin e kaluar. Rekordi i kaluar ishte 48.90 metra.

Mitingu i hapur është dashur të organizohej brenda një dite dhe në të njëjtin lokacion. Sekretari i FAK-ut, Abdurrahman Shkodra, tregon se në Malishevë nuk ka hapësirë për hedhje të diskut dhe shtizës.

“Po të kishim kushte do të ishte mbajtur në të njëjtin vend dhe ditë. Por nuk e kemi të rregulluar pjesën e infrastrukturës. Në Malishevë shtegu i plotëson kriteret për gara të vendit, jo edhe ato ndërkombëtare, derisa i kemi bërë të gjitha matjet edhe të hapësirës ku Alaudini theu rekordin. Pra, ka qenë i matur rrethi ku vendoset atleti në hedhje të diskut dhe terreni ka qenë i rrafshët”, ka thënë sekretari Shkodra të dielën për KOHËN.

Kushtet e atletëve janë larg nga standardet ndërkombëtare. Shumë atletë stërviten në hapësira të improvizuara. Edhe në oborre të shtëpive private madje.

Por atletët nuk dorëzohen. Puna e tyre po shpërblehet me rezultate, të paktën vendore.

Sumiqi është njëri prej atletëve që nuk është dorëzuar, përkundër kushteve të vështira. Ai është i lumtur që theu rekord të dielën.

“Jam i lumtur që theva rekordin shtetëror në kategorinë e seniorëve. E kam thyer edhe barrierën e 50-metërshit. Kam pasur synim ta gjuaj më shumë se 54 metra. Nuk më është dhënë mundësia për shkak të frymës, por nuk arrita. Megjithatë, unë do të vazhdoj të punoj edhe më shumë për garat e radhës për të korrur suksese në arenën ndërkombëtare. Sezoni veç sa ka filluar, tash presim edhe më shumë”, ka thënë Sumiqi.