Sport

Bakraqi me hapa të sigurt po ngjitet në majat e atletikës

 Atletja Gresa Bakraqi thotë se i ka arritur të gjitha që i ka synuar deri tash. Ka thyer tetë rekorde shtetërore brenda gjashtë muajve në gara të ndryshme. Rekordin e fundit Bakraqi e theu të shtunën në Kampionatin Ballkanit për seniorë që u mbajt në Craiova të Rumanisë. Ajo doli e treta në vrapimin 3000 metra me kohë prej 9 minutash, 33 sekondash e 74 të qindtat, që është rekord i ri në Kosovë. Bakraqi e ka cilësuar ndër sukseset më të mëdha në karrierë medaljen e bronztë që e fitoi të shtunën në Rumani.

“Planet e këtij viti pothuajse u realizuan. Kisha qëllim thyerjen e gjitha rekoreve shtetërore, ku brenda 6 muajsh arrita 8 rekorde shtetërore. Suksesi në Ballkanik është një ndër sukseset më të mëdha të miat deri tash. Një kampionat si ky në nivel të garës nuk ka pasur. Ka qenë një konkurrencë e madhe dhe e fortë. Ndihem tej mase e lumtur për këtë të arritur pas një pune shumë të madhe. Nuk jam ndalur asnjëherë për të arritur këtë sukses”, ka thënë Bakraqi të dielën për KOHËN.

Atletja më e mirë e Kosovës për vitin 2021, në garat e vrapimit është kthyer në vitin 2017 pas një pauze katërvjeçare. Ajo njihet si atlete e suksesshme në vrapime të gjata, ndërsa rekorde shtetërore ka vendosur edhe në disiplina të tjera. E suksesin e radhës Bakraqi po synon në lojërat mesdhetare “Oran 2022” që nisin në fund të këtij muaji në Algjeri.

“Synimi i radhës është rekordi shtetëror në Lojërat Mesdhetare në 3000 metra pengesa dhe të ngjitem sa më lart në podium”, ka theksuar ajo.

Ekipi mesdhetar i Kosovës që përbëhet nga 39 sportistë, që do të garojnë në 13 sporte të ndryshme, do të paraqitet në Lojërat Mesdhetare që mbahen në Algjeri, prej 25 qershorit deri më 6 korrik. Bakraqi dhe dy atletë të tjerë do ta përfaqësojnë sportin e atletikës. Sporti i xhudos do të përfaqësohet me më së shumti garues në këtë ngjarje, gjithsej tetë. Boksi do të përfaqësohet me katër garues. Karatenë e përfaqësojnë pesë garues, mundje një, kurse ka përfaqësim edhe të sporteve të tjera si noti, taekwondo, shigjetari, shenjëtaria sportive, pingpongu, tenisi, gjimnastika e badmintoni. Bakraqi thotë se do të përgatitet maksimalisht për të korrur sukses edhe në Algjeri.

“Ky sukses në Kampionatin Ballkanik nuk mund të përshkruhet me fjalë. Por ka pasur përkushtim, mund dhe lodhje të madhe. Sinqerisht kam pasur regjim të madh, stërvitje me intensitet maksimal. Kam pasur pjesëmarrje të njëpasnjëshme në garat ndërkombëtare të nivelit elitar. Është një medalje që e vlerësoj shumë pas gjithë atij mundi dhe pune”, ka theksuar Bakraqi.

Synimi i saj më i madh është që të arrijë suksese në 3000 metra me pengesa dhe po ashtu të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, që në vitin 2024 mbahen në Paris.

“Qëllimin kryesor të deritashëm e arrita. Ishte medalja në Ballkanik dhe ia dola me shumë sukses. Tani fokusi është në Lojërat Mesdhetare, pastaj Botërori në Amerikë dhe Evropiani në Gjermani. Po ngjitem ngadalë majave të suksesit me mund dhe punë shumë të madhe”, ka thënë atletja Bakraqi.

Ajo dhe sportistët e tjerë të atletikës përballen me vështirësi në infrastrukturë. Shumë atletë kanë improvizuar edhe fusha për t’u stërvitur.