Gresa Bakraqi doli e treta në gjysmëmaratonën e mbajtur të dielën në Split të Kroacisë. Vendi i tretë nuk ishte suksesi i vetëm për Bakraqin në garën e vrapimit në 21 kilometra. Ajo vendosi rekord të ri të Kosovës. E mbylli gjysmëmaratonën për një orë, 17 minuta e 24 sekonda.
Për atleten nga Peja rekordi i së dielës ishte vetëm i radhës. Ajo ka vendosur edhe tri rekorde të tjera brenda këtij muaji, në disiplina dhe gara të ndryshme.
“Për mua ishte rekordi i dhjetë shtetëror pas kthimit në atletikë”, ka thënë Bakraqi të dielën, pas suksesit në gjysmëmaratonën “Spliti 2022”.
Atletja më e mirë e Kosovës për vitin 2021, në garat e vrapimit është kthyer në vitin 2017 pas një pauze katërvjeçare.
“Shkaku i shkollimit kam qenë e detyruar ta ndërpres, pasi jemi në një shtet ku më shumë duhet të japësh se që merr. Ka qenë e pamundur t’i përballoj të dyja pasi jam person që dua gjithçka, që marr përsipër të fokusohem 100 %. Ka qenë e pamundur, ose është dashur ta kem ditën 48 orë për të pasur sukses në të dyja anët. Pas përfundimit të studimeve jam kthyer në atletikë për të vazhduar gjërat që i kisha lënë në gjysmë. Pra, të triumfoj në garat ndërkombëtare, pasi në ato kombëtare rezultatet i kisha arritur me vite dhe qëllimet i kam pasur më të mëdha”, ka shtuar Bakraqi.
Ajo njihet si atlete e suksesshme në vrapime të gjata, ndërsa rekorde shtetërore ka vendosur edhe në 800 dhe 1500 metra vrapim.
“Rekorde kam arritur në 800 dhe 1500 metra në sallë dhe së fundi në 21 kilometra, si e treta në mesin e 1233 atletëve. Unë ende nuk e kam arritur formën, jam në progres dhe progresi po ec mirë, me stërvitje dhe ngarkesë maksimale. Uroj të mos kem ndonjë lëndim dhe ndonjë pengesë, sepse jam ballafaquar me shumë pengesa dhe kam nevojë të jem në paqe, të stërvitem mirë dhe të jem në podium në çdo garë”, është shprehur atletja kosovare.
Gresa tregon se synimi i saj është që në kampionatet ballkanike të jetë gjithnjë në mesin e tri të parave.
“Synoj që në Ballkan të jem në podium në çdo disiplinë, në rrugë 10 kilometra dhe 21 kilometra, në kros dhe në shteg. Deri tash askush nuk ka pasur mundësi të jetë lider në të gjitha këto disiplina. Gjithmonë kemi dëgjuar në shteg për medalje ballkanike dhe si çudi, për femrat ka qenë, gjithmonë sipas mendimit të tjerëve, që është e pamundur të afrohen në zonën e medaljeve në Ballkan. E kam dëshmuar që femrat mund të arrijnë të ngjiten në podium në vitin 2019, kur kam qenë nënkampione ballkanike. Po atë vit në kros kemi qenë si ekip i Kosovës në vend të tretë”, ka theksuar Bakraqi.
Synimi i saj më i madh është që të arrij suksese në 3000 metra me pengesa dhe po ashtu të marr pjesë në lojërat olimpike “Parisi 2024”.
Ajo pranon se nuk e ka të lehtë suksesin në ngjarje të mëdha. Thotë se i mungon infrastruktura.
Në fakt, jo vetëm Bakraqi përballet me probleme të infrastrukturës. Edhe atletët e tjerë nuk kanë shtigje për t’u stërvitur dhe për të mbajtur gara.
“Një ndër qëllimet super të mëdha është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Jam bursiste olimpike ‘Parisi 2024’ nga KOK-u. Jam në super formë edhe pse është herët të flas për formën për shkak se jemi në fazë të dimrit. Nëse vazhdoj me këtë ritëm uroj të arrij, por për normë të jem e sinqertë duhet super infrastrukturë dhe unë nuk kam as shteg të vrapimit. Unë synoj të vrapoj në 3000 metra me pengesa, por nuk kam as pengesa në Kosovë, as në gara, as në stërvitje. Jam dy hapa prapa konkurrencës sime ne arenën ndërkombëtare, por kjo nuk do të thotë që unë të ndalem, sepse po të ndalesha nuk do të isha pjesë e podiumit me shumë shtete më të forta se Kosova”, ka thënë Bakraqi.