Sport

Ndonëse luan në gara evropiane, Prishtinës nuk po i lejohen stërvitjet në palestër

Pa ndonjë vendim të Qeverisë, të premten nisi edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll. Zyrtarisht ende është në fuqi vendimi i Qeverisë që nuk lejon aktivitetet sportive, por prej të martës në futboll do të luhen ndeshje të xhiros së dytë.

Megjithatë, jo të gjitha sportet e kanë luksin e futbollit. Disa skuadra nuk po lejohen as të stërvitin në arenat që i shfrytëzojnë zakonisht. Njëra prej tyre është skuadra e hendbollit Prishtina në konkurrencë të meshkujve. Për më tepër, KH Prishtina do të luajë në gara evropiane, përkatësisht në Kupën Evropiane. Në nëntor Prishtina do të përballet me Dobrudjan bullgare në kuadër të raundit të dytë.

Te Prishtina po insistojnë që të hapet palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, që skuadra të ketë kushte normale për stërvitje. Në atë arenë Prishtina i luan edhe ndeshjet.

Së fundi KH Prishtina i ka nisur stërvitjet për edicionin e ri, por vetëm në ambient të hapur. Trajneri Taib Kabashi detyrohet të përfshijë kryesisht vrapime në seancat stërvitore, në mungesë të qasjes në palestër.

Në klubin Prishtina përgjegjës për situatën i lënë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Jemi duke bërë përpjekje që të na lejohet hyrja në palestër për të stërvitur. Por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk po më duket e arsyeshme të mos lejohen 15 apo 20 djem të stërviten në një sallë diku 1000 metra katrorë e në anën tjetër dihet se si punojnë lokalet dhe restorantet”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Edi Kolgeci, të hënën për KOHËN.

“Ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në IKSHPK, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Komuna e Prishtinës dhe menaxhmenti i Pallatit të Rinisë po na thonë që na duhet leje nga Ministria e Shëndetësisë për të na lejuar hyrjen. Nuk kanë autoritet të hapin palestrën, ndërkohë që ne e kemi vetëm këtë sallë për shfrytëzim”, ka shtuar Kolgeci... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)