Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ndoj debuton në Serie A

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Emanuele Ndoj, ka debutuar në Serie A. 22-vjeçari të martën mbrëma është inkuadruar te Brescia në 15 minutat e fundit të ndeshjes.

Brescia e humbi këtë ndeshje në udhëtim nga Genoa, derisa paraqitja e mesfushorit Ndoj është vlerësuar lart nga mediumet italiane të mërkurën.

“Emanuele Ndoj debutoi te Brescia dhe përkundër pak minutave në fushë, ai tregoi se është lojtar në të cilin ekipi mund të llogarisë”, ka shkruar “Calciomercato”, transmeton “Koha Ditore”. Ndoj në vitin 2016 i është bashkuar Brescias nga të rinjtë e Romës dhe ka kontratë deri më 2022.

Vitin e shkuar debutoi me Shqipërinë dhe deri më tash ka shënuar një gol në pesë paraqitje. Ndërkohë, Amir Rrahmani e Marash Kumbulla ishin të pazëvendësueshëm te Verona që triumfoi 1:0 në udhëtim ndaj Parmas në kuadër të xhiros së dhjetë të Serie A.

Kumbulla u ndëshkua me karton të verdhë, kurse te Parma tërë ndeshjen luajti Kastriot Dermaku.