Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ndeshja Kosovë – Irlandë V., rrugët që qojnë drejt stadiumit “Fadil Vokrri” do të bllokohen

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot do të bllokohen rrugët që qojnë drejt stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe përreth tij, shkaku i ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Kosovës e Irlandës së Veriut.

Ndeshja fillon nga ora 20:45.

“Rrugët që shkojnë drejt stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim të veturave. Pra, nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Fehmi Agani’ në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit. Kurse veturat zyrtare që lejohen të futën në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga ‘Tirana’. Policia, në zbatim të planit operativ do të angazhohet edhe në kontroll më të detajuar të personave që shkojnë drejt stadiumit dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik në situata të tilla si dhe gjëra që janë të ndaluara për hyrje në stadium”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Personat që nuk janë të pajisur me bileta apo që paraqiten për të qëndruar afër stadiumit, nuk do të lejohen të qëndrojnë aty, ka thënë Policia.