Sport

“Ndarja” e Kolollit, Kryeziut e Vocës me Përfaqësuesen e Kosovës

Zhvillimi në futbollin zviceran është e përbashkëta e Benjamin Kolollit, Hekuran Kryeziut dhe Idriz Vocës. E përbashkëta tjetër e tyre është paraqitja për kohë të gjatë në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Kololli e Kryeziu, por edhe Voca janë në moshën kur duhet të prekin kulmin sa i takon karrierës në futboll. Por, ata aktualisht janë larg Përfaqësueses së Kosovës. Dhe e ardhmja e tyre në përfaqësuese nuk duket shumë e sigurt, ndonëse kjo do të varet nga zhvillimi në karrierën e tyre dhe idetë e përzgjedhësit të ri të Kosovës, që ende nuk dihet se kush do të jetë.

Majtaku Kololli për kohë të gjatë ka qenë prej lojtarëve më me ndikim te Kosova. Shpesh është vlerësuar i paprekshëm në formacionin bazë. Ka luajtur kryesisht mbrojtës i majtë, por gjithnjë i avancuar. Dëshira e tij ka qenë të luajë më ofanziv dhe në disa ndeshje është vendosur edhe në sulm. Kololli, 29-vjeçar, i ka 23 paraqitje për Kosovën. I ka katër gola e një asistim. Gjatë korrikut, Kololli u largua nga Zuerichu helvetik dhe kaloi te Shimizu S-Pulse në Japoni. Nuk është që ka bërë shumë te skuadra elitare japoneze. Por ftesa nga Kosova ka marrë. Por nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht. Ai nuk është grumbulluar që nga marsi, kur startoi në ndeshjet me Suedinë dhe Spanjën.

Japonia ka rregulla strikte sa i takon koronavirusit dhe çdo ardhje e Kolollit në Evropë për t’iu bashkuar Kosovës do të pasonte me periudhë karantinimi në Japoni. Këtë ka vendosur ta shmangë Kololli.

Majtaku është i lumtur në Japoni, ndërsa ka tetë paraqitje deri më tani. Nuk ka luajtur në tri ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi të pazakontë.

“Do të qëndroja pa telashe këtu për pesë vjet. Kultura dhe ushqimi janë të shkëlqyeshme. Më pëlqen sidomos sesi njerëzit respektojnë njëri-tjetrin. Është e mahnitshme sesa shumë trajnerë angazhon klubi për lojtarët”, ka thënë së fundi Kololli për mediat zvicerane.

Por koronavirusi e ka bërë më të vështirë. Kololli është person shumë i hapur, por po ndihet i vetmuar në Japoni. Ai ka treguar se si grumbullimi me Kosovën nuk është aktualisht opsion, për të shmangur karantinimin dyjavor pas kthimit në Japoni. Së fundi Kololli ka lënduar syrin. Ishte një lëndim i pazakontë i pësuar në stërvitje. Ai ishte duke ushtruar me një shirit fitnesi. Shiriti i gomës u këput dhe goditi Kolollin në sy. Me syrin e majtë Kololli nuk ka parë për tri ditë. Por ka pasur fat që lëndimi i syrit nuk ishte serioz dhe tashmë i takon së kaluarës. Por e mundon një lëndim i pulpit.

Me gjendjen aktuale, duke luajtur në Japoni, ka pak gjasë që Kololli të grumbullohet në të ardhmen e afërt për Kosovën.

Në një periudhë të gjatë Hekuran Kryeziu ishte edhe më i rëndësishëm se Kololli te Kosova. Vlerësohej lojtari më i rëndësishëm i mesfushës. Mesfushori qendror ka plot 27 paraqitje për Kosovën.

Ka kompletuar ndeshjet me Suedinë dhe Spanjën në mars, ndërsa ishte në përbërje edhe në miqësoret me San Marinon dhe Maltën në qershor. Ndërkohë 28-vjeçari mbeti pa skuadër dhe nuk është ftuar në ndeshjet e shumta të vjeshtës.

Kryeziu në verë u nda me Zuerichun, ku luajti së bashku me Kolollin. E ardhmja e tij nuk dukej e dyshimtë, por megjithatë nuk mori ofertën e duhur. Dhe kështu mbeti pa skuadër. Dhe rrjedhimisht pa vend në përfaqësuese.

Kryeziu dhe përfaqësuesit e tij e presin janarin për të bërë hapin e ardhshëm në karrierë. Shpresohet të jetë një i duhur dhe i suksesshëm, që ta kthejë Kryeziun te Kosova. Mungesa e tij është vërejtur në ndeshjet e shtatorit. Kosova nuk ka një lojtar tjetër që aktualisht e zëvendëson Kryeziun në mesfushë. Jo Kryeziun e ditëve më të mira të tij.

Është pritur që Voca të jetë një lojtar i rëndësishëm për mesfushën e Kosovës. Por kur konkurrenca u zbeh dhe kur ai do të mund të vinte në shprehje, karriera e 24-vjeçarit pësoi rënie. Voca, njëjtë si Kryeziu, është pa skuadër. Turqia mund të jetë një destinacion për mesfushorin defanziv, që i ka 15 paraqitje për “Dardanët”.

Ai ishte rezervist ndaj Suedisë e Spanjës në mars. Luajti zëvendësues edhe ndaj San Marinos e Maltës në qershor. Nuk ishte në skuadër për ndeshjet e shtatorit, tetorit e nëntorit. Edhe shpresat e Vocës janë që në janar të bëhet në skuadër dhe të kthehet te Kosova për ndeshjet e para të vitit 2022, që pritet të jenë në mars.

Aktualisht Kololli, Kryeziu e Voca e kanë edhe një të përbashkët – të tre janë larg Përfaqësueses së Kosovës.