Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që ndeshjet gjysmëfinale dhe ato finale të Final 8 Kupës së Kupës, që po organizohet në Pejë, të mos lejohet pjesëmarrje e tifozërive të organizuara, për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID.
“FBK-ja ka qenë e detyruar ta marrë këtë vendim pasi në ndeshjet e para çerekfinale tifozët e organizuar nuk i kanë respektuar masat anti-COVID në fuqi të Qeverisë, e që janë mbajtja e maskës dhe distanca fizike edhe pas tërheqjes së vërejtjes nga personat përgjegjës të angazhuar për siguri dhe Policisë së Kosovës. Duke qenë se grupet e tifozëve të pranishme në palestrën “Karagaçi” nuk iu bindën urdhrave për bartje të maskës dhe sigurim të distancës fizike, duke pamundësuar kësisoj respektimin e masave nga organizatori dhe Federata, në palestër prej ndeshjeve gjysmëfinale e deri te ato finalet në të dyja konkurrencat do të lejohen vetëm shikuesit e vaksinuar që nuk vijnë në mënyrë të organizuar dhe që zotohen të respektojnë masat ati-COVID”, thuhet në njoftim.
Federata e Basketbollit e Kosovës tutje ka shtuar se bashkë me klubin organizator, KB Peja, dhe organet e rendit do të bëjnë më të mirën për organizim të mirëfilltë të këtij eventi, andaj shikuesit të cilët nuk i respektojnë masat anti-COVID (bartja e maskës dhe distanca fizike) pas vërejtjes së parë do të largohen nga palestra.
Dje në mbrëmje, autobusi i KB Prishtinës u sulmua nga disa persona me të mbërritur në Pejë, në prag të ndeshje kundër KB Pejës, të cilën e fituan “verdhezinjtë”. Në rrjetet sociale ishin akuzuar tifozët e KB Trepçës, Torcidat, për sulmin ndaj autobusit. Por një gjë të tillë ata e kanë mohuar përmes një reagimin në Facebook. Mirëpo, FBK-ja për ndalimin e pjesëmarrjës së tifozërive të organizuara, nuk e ka përmendur këtë si fakt që ka shtyrë drejt një vendimi të tillë.