Në njërën anë tifozët e Pejës dhe në anën tjetër tifozët e Sigal Prishtinës. Kjo ishte “fotografia” që e kishin parashikuar dy klubet për ndeshjen e këtij vikendi.
Të gjitha planet dhe marrëveshjet që i kishin arritur përgjatë ditëve të fundit nuk do të mund të realizohen.
Të enjten u mor vendimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës për ta ndaluar udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Superligës së Kosovës. Dhe ky vendim ka befasuar Pejën dhe Sigal Prishtinën.
Dy skuadrat ishin dakorduar që në përballjen e xhiros së tetë, të dielën në palestrën “Karagaçi”, pos Pejës, edhe Prishtina ta kishte përkrahjen e tifozëve. Peja kishte pranuar kërkesën e Prishtinës që tifogrupi “Plisat” të udhëtonte në mënyrë të organizuar për ta përkrahur ekipin nga tribunat. Madje, Peja i kishte dërguar Prishtinës 350 bileta për tifozët e saj dhe ishte përgatitur për një spektakël basketbolli.
Pritej që kjo të ishte ndeshja e parë e këtij sezoni në Superligë me praninë e dy tifozërive, por gjithçka ndryshoi të enjten.
Në kohën kur shikueshmëria në basketboll është në nivel të lartë, FBK-ja me vendim të prerë ndaloi udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar. Në njoftimin e FBK-së thuhet se ky vendim hyn menjëherë në fuqi dhe është i vlefshëm deri në fund të këtij sezoni. Vendimi vlen vetëm për ndeshjet e Superligës, të cilat organizohen nga klubet, por jo edhe për ngjarjet që organizohen nga FBK-ja.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që ta ndalojë udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Prince Caffe Superligës së Kosovës deri në fund të edicionit 2022/23 dhe ky vendim do të vlejë vetëm për ndeshjet e organizuara nga klubet, e jo në ndeshjet dhe eventet e organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës, si Superkupa, Final 8 etj.”, thuhet në vendim. “Bordi i FBK-së ka qenë i detyruar të marrë një vendim të tillë duke u bazuar në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit. Dhe për të evituar probleme edhe më të mëdha në të ardhmen, bordi ka vendosur të ndërmarrë masa në këtë drejtim”.
Te Peja kanë pranuar se nuk mund të bëjnë asgjë tjetër veçse ta respektojnë vendimin e institucionit të basketbollit. Drejtori i Pejës, Arbër Elshani, tha se klubi ishte gati për një spektakël basketbolli dhe i kishte ndërmarrë të gjitha masat që të mos ketë ndonjë incident në palestër.
“Ne kishim marrëveshje për Prishtinën dhe i kemi ndarë 350 bileta për tifozët e saj. Ishim gati për t’i mirëpritur ata, pasi donim një spektakël të vërtetë basketbolli. Jemi dy klubet më të mëdha në shqiptari dhe sigurisht që kishim dëshirë që ky spektakël të hijeshohej me tifozët tanë dhe të Prishtinës”, ka thënë Elshani. “Na vjen keq për këtë vendim, por që duhet respektuar për shkak se vjen nga FBK-ja. Edhe tifozët duhet të vetëdijesohen për të ardhmen që të mos kemi eksese në palestra”.
Prishtina, e cila dy ndeshjet e fundit i ka luajtur pa shikues për shkak të dënimit të FBK-së, thotë se ishte mobilizuar t’i kishte tifozët në Pejë. Te Prishtina shpresojnë që FBK-ja ta rishqyrtojë këtë vendim, i cili thonë se është i dhimbshëm për basketbollin kosovar.
“Vendimi është i dhimbshëm për Prishtinën, për tifozët më të mirë në botë dhe për basketbollin kosovar. Me këtë vendim klubi më i madh dhe më i trofeshëm në vend dëmtohet më së shumti, për arsye që Prishtina dhe ‘Plisat’ kanë dëshmuar për një kohë tashmë që sporti dhe pasioni i tifozërisë sonë është përtej çdo niveli, kjo e pranuar edhe nga Federatat Ndërkombëtare. Sigal Prishtina dhe ‘Plisat’ të dielën do të udhëtonin për në Pejë për të dhuruar spektakël dhe fitore të dyfishtë, në parket dhe në tribuna. Kishim miratimin dhe pëlqimin e klubit të Pejës, duke shpresuar që të krijojmë ura të reja bashkëpunimi dhe përmes spektaklit ta fuqizojmë edhe më shumë basketbollin kosovar”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Burim Maraj. “Koha e armiqësisë së brishtë duhet tejkaluar dhe mbi gjitha të fitojë sporti e me këtë edhe rinia jonë. Mendoj që vendimi për këtë temë duhej të merrej në bashkëpunim me të gjitha klubet, e pse jo këtu të përfshihen edhe organet e rendit. Nëse ka frymë pozitive dhe vëllazërore mes tifozëve dhe klubeve, të lejohen sipas dispozitave te përcaktuara në propozicionet e garave. Uroj që nga këto reagime të klubeve, por edhe të adhurueseve të basketbollit, federata të reflektojë dhe ta rishqyrtojë vendimin e marrë”.
FBK-ja para fillimit të këtij edicioni kishte lejuar udhëtimin e tifozërive e që pas shtatë xhirove nuk është treguar gjë shumë e sigurt, sipas autoriteteve kompetente. Kështu ka insistuar sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
“FBK-ja vendimet i merr në mbrojtje të interesit të përgjithshëm të basketbollit dhe garantimit të sigurisë publike gjatë organizimit të aktiviteteve. Vendimi i marrë i shërben mbarëvajtjes së mirëfilltë të garave dhe ofrimit të kushteve të sigurta për përcjellje të ngjarjeve të basketbollit. Për fat të keq, pas përfundimit të shtatë xhirove të para, është dëshmuar se lejimi i tifozërive kundërshtare të organizuara mund të sjellë për pasojë rrezikimin e sigurisë të gjithë spektatorëve në ndeshjet e basketbollit”, ka thënë Dushku. “Përkundër qëllimit të mirë dhe vendimit fillestar para fillimit të edicionit për lejimin e dy tifozërive, gjatë javëve të fundit kemi pasur disa raste në të cilat prania e dy tifozërive është cilësuar si ngjarje e rrezikshmërisë së lartë nga autoritetet kompetente të sigurisë. Dhe, kjo na ka shtyrë që të marrim një vendim të tillë, i cili u ofron më shumë siguri akterëve dhe dashamirëve të basketbollit të pranishëm nëpër palestrat tona”.
Vendimi i FBK-së për ta ndaluar udhëtimin e organizuar nuk është mirëpritur në gjithë komunitetin e basketbollit. Tifogrupi “Torcida” ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të FBK-së, duke shkruar “Nuk jemi kriminelë”.
Javën e shkuar FBK-ja kishte aprovuar kërkesën e Trepçës që tifozët e saj të udhëtonin në mënyrë të organizuar në Gjakovë për ndeshjen me Vëllaznimin. I menjëhershëm ishte reagimi i Vëllaznimit që nuk i pranoi tifozët nga Mitrovica në mënyrë të organizuar dhe Trepça në Gjakovë nuk e pati përkrahjen e tyre. Te Trepça kishin thënë se kjo nuk ishte hera e parë që klubet e tjera po refuzonin tifozët e saj dhe nëpërmjet një njoftimi kishte bërë të ditur se mirëpret të gjitha tifozeritë e klubeve të tjera në palestrën “Minatori”.
“Tifozët janë pasuria e basketbollit dhe të gjithë ne duhet të angazhohemi për t'i mbajtur ata në palestra. Prandaj edhe nuk e kuptojmë vendimin e klubit mik nga Gjakova, siç nuk e kuptuam Pejën.
Ne i mirëpresim në folenë tonë tifozët e Vëllaznimit, por edhe të gjitha klubeve të tjera. ‘Minatori’ hap dyert për të gjithë ju. Mohimi i së drejtës për t’i parë ndeshjet e ekipit në udhëtim është veprim i gabuar.
Me shpresë se ky qëndrim do të ndryshojë dhe tifozët mysafirë do të jenë në palestrat tona”, ishte reagimi i Trepçës pas refuzimit të Vëllaznimit.
Në gjysmëfinalen e Superkupës Mbarëkombëtare, turne i luajtur javë më parë në Mitrovicë, në duelin Trepça – Golden Eagle Yllin, ishin të pranishëm dy grupet e tifozëve.