Pas barazimit 1:1 javën e shkuar në Spanjë në ndeshjen e parë, te Napoli janë të vendosur të fitojnë në duelin e dytë dhe ta eliminojnë Barcelonën në 1/16 në finale të Ligës së Evropës. Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, beson se Barcelona është ekip i fortë siç ishte me Lionel Messin, por ka shtuar se skuadra e tij synon avancimin në rundin tjetër të Ligës së Evropës, garës së nivelit të dytë të UEFA-s. Mbi të gjitha, Spalletti ka thënë se këtë ndeshje ekipi i tij duhet ta mbyllë brenda 90-të minutave dhe të mos shkojë në vazhdime. Sipas tij, Napoli do të luftojë prej minutës së parë për ta fituar ndeshjen.
“Ne duhet patjetër që të luftojmë. Duhet të japim gjithçka nga vetja dhe duhet ta mbajmë topin. Barcelona është një ekip shumë i fortë, si me Messin, pasi ka lojtarë të mirë në çdo pozitë. Synimi ynë është të jemi ekip, të cilin tifozët tanë do ta mbajnë në mend”, është shprehur Spalletti të mërkurën në konferencën për shtyp. “Nuk ka favoritë në këtë ndeshje, pasi asnjëra prej ekipeve nuk dëshiron të shkojë në vazhdime. Kështu që, jemi gati për këtë përballje që duam ta fitojmë dhe të avancojmë tutje”.
Te Napoli, i gatshëm për lojë do të jetë kapiteni Lorenzo Insigne, i cili ka munguar në dy prej pesë ndeshjeve të fundit në Serie A për shkak të problemeve muskulore. Spalletti ka konfirmuar se Insigne do të jetë titullar ndaj Barcelonës. E titullar do të jetë edhe qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani. Në anën tjetër, Barcelonës i është kthyer Gerard Pique që i mungoi në ndeshjen e fundit në La Liga ndaj Valencias, të cilën e fitoi 4:1. Memphis Depay nuk do të jetë i gatshëm për lojë, ndërsa Dani Alves nuk është përfshirë fare në ekip për shkak se nuk është regjistruar për garat e UEFA-s. Përkundër një sezoni të turbullt, Barcelona ka treguar paraqitje të mira nën urdhrat e trajnerit Xavi Hernandez. Nuk di për disfatë në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe nuk ka humbur brenda 90-të minutave qëkur u eliminua nga Bayern Muencheni në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në fillim të muajit dhjetor.
“Ne paska e kemi humbur stilin tonë të lojë dhe jemi në rrugë për ta përmirësuar. Është një test tjetër i vështirë me Napolin, i cili është rival i Ligës së Kampionëve. Shpresoj të luajmë mirë dhe të fitojmë pasi kjo është shumë e rëndësishme. Do të ishte dëshpërim i madh eliminimi nga kjo garë, por nuk po e mendojmë këtë pasi jemi optimistë. Përfundimisht, do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë“, ka thënë trajneri i Barçës, Xavi.
Ndërkohë, Borussia Dortmundi do të mundohet të bëjë mrekulli në udhëtim te Rangersi. Në duelin e parë të luajtur në Gjermani, Dortmundi u befasua nga Rangersi, që fitoi me rezultatin 4:2. Edhe në këtë ndeshje sikurse në atë të luajtur para një jave, Dortmundi do të jetë pa sulmuesin Erling Haaland që ende nuk është rikuperuar nga lëndimi. Edhe kjo ndeshje nis në orën 21:00.