Të mërkurën mbrëma janë nëntë ndeshje të tjera të xhiros së dytë të fazës së ligës në Champions.
Dhe e gjithë vëmendja do të jetë në Barcelonë, ku takohen dy prej skuadrave më të mëdha të futbollit. Nga ora 21:00 në “Estadi Olimpic Lluis Companys” takohen Barcelona dhe Paris Saint-Germaini.
Barcelona është kampione në fuqi e Spanjës dhe njëra prej skuadrave pretenduese të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve. Parisi është fitues në fuqi i Ligës së Kampionëve, ndërsa ka fituar edhe kampionatin dhe kupën e Francës.
Të dy skuadrat janë në moment të mirë. Barcelona në fundjavë e mori kryesimin në La Liga. I ka 19 pikë nga shtatë ndeshje, një më shumë se Real Madridi. Të dielën Barça shënoi fitore të vështirë, por shumë të vlefshme, me rezultatin 2:1 ndaj Real Sociedadit.
Parisi fitoi 2:0 ndaj Auxerres, pasi në ndeshjen e parafundit kampionale ishte befasuar, 1:0 nga Marseille. Parisi është lider në Francë me 15 pikë nga gjashtë ndeshje. 15 pikë i ka edhe Lyoni.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka të kaluar te Barcelona si lojtar e si trajner. Ishte i suksesshëm në të dy rolet, ndërsa po bën histori te parisienët.
“Jam i lumtur që kthehem, është shtëpia ime. E kam kaluar shumicën e karrierës si lojtar dhe si trajner këtu. Nuk jemi në ‘Camp Nou’, por është stadium shumë i bukur. Kam luajtur në Lojërat Olimpike 1992 këtu. Është e veçantë të jem këtu”, ka thënë Enrique të martën në konferencë për shtyp.
Parisi përballet me mungesa të shumta, por Enrique nuk i ka kushtuar rëndësi kësaj. Ka thënë se të gjithë lojtarët përgatiten për ndeshje në mënyrën e njëjtë.
“Për ne është entuziazmuese që luajmë ndaj një ekipi që paraqitet me mentalitet të njëjtë. Barcelona ka trajner të nivelit më të lartë, të cilin e njoh për kohë të gjatë. Trajneri dhe lojtarët janë të etur për ndeshje të mirë. Dy skuadrat janë të ngjashme, por vendimtare do të jetë fitimi i topit”, ka theksuar Enrique.
Edhe trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur me respekt maksimal.
“Do të luajmë me ekipin më të mirë në botë. Parisi ka trajner të shkëlqyer dhe lojtarë të shkëlqyer. Është sfidë e shkëlqyer”, ka thënë gjermani Flick.
Edhe Barça përballet me mungesa. Fermin Lopez, Joan Garcia e Gavi janë të lënduar. Flick ka thënë se lëndimet janë pjesë e futbollit dhe si skuadër duhet të dinë si t’i menaxhojnë ato. Ai ka besim në lojtarët e rinj.
“Ne jemi Barça dhe ne jemi gjithnjë në mesin e favoritëve. Por rruga është shumë e gjatë dhe duhet të punojmë fort. A po shikojmë për revansh për eliminimin e edicionit të kaluar? Nuk shikojmë prapa, çdo gjë ka ndryshuar: PSG-ja, lojtarët, Barça”, ka theksuar Enrique.
Të mërkurën prej orës 18:45 janë ndeshjet Qarabag – Copenhagen dhe Royale Union – Newcastle.
Prej orës 21:00 janë edhe ndeshjet Arsenal – Olympiacos, Bayer Leverkusen – PSV, Dortmund – Athletic Bilbao, Monaco – Manchester City, Napoli – Sporting dhe Villarreal – Juventus.