Lajme të mira për tifozët e Interit dhe mbi të gjitha për trajnerin e zikaltërve Luciano Spalletti.
Sipas raportimeve të mediave italiane blerja e madhe e zikaltërve në këtë afat kalimtar, Radja Nainggolan është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi muskulor që pësoi në miqësoren ndaj Sionit në muajin korrik dhe do të jetë plotësisht i gatshëm për të luajtur që nga minuta e parë në sfidën e kësaj të shtune ndaj Bolognas.
Në stërvitjen e sotme Naiggolan u provua në rolin e mesfushorit të avancuar pas dy sulmuesve që ishin Perishiq dhe Icardi.
Spalletti më në fund do të ketë në dispozicion yllin e tij për t’i ndryshuar fytyrën Interit që e ka nisur shumë keq kampionatin duke marrë vetëm 1 pikë në 2 javët e para, transmeton SS.
Ndërkohë shqetëson Asamoah i cili nuk u stërvit me grupin këtë të mërkurë pas goditjes që mori në sfidën përballë Torinos. Ganezi është në dyshim për sfidën ndaj skuadrës së Filippo Inzaghit.