Trajneri i Bayern Munichut, Julian Nagelsmann, tha të premten se ka marrë kërcënime me vdekje në internet pas eliminimit befasues të ekipit të tij në Ligën e Kampionëve. Bayerni u eliminua në çerekfinale nga Villarreali. Nagelsmann zbuloi se ka marrë qindra kërcënime me vdekje që, sipas tij, nuk është aspak normale.
“Unë e di se do të marr gjithmonë kritika nga të gjitha anët, kjo është normale dhe mund ta përballoj. Por me 450 kërcënime me vdekje në Instagram nuk është aq e lehtë", tha Nagelsmann përpara duelit të Bayernit në udhëtim tek Arminia të dielën në Bundesligë.
Ai shtoi se kërcënime ka marrë edhe nëna e tij.
“Nëse njerëzit duan të më vrasin mua, kjo është një gjë, por ata sulmojnë edhe nënën time, e cila nuk interesohet fare për futbollin”, shtoi ai.
“Nuk e kuptoj. Sapo e fikin televizorin njerëzit harrojnë çdo mirësjellje. Dhe mendojnë se janë ata që kanë të drejtë, kjo është çmenduria”. I pyetur nëse ai kishte konsideruar marrjen e masave ligjore, Nagelsmann sugjeroi se pothuajse pas çdo loje merr kërcënime të ndryshme, por këtë herë është habitur me numrin e madh. “Unë marr kërcënime pas çdo ndeshjeje të vetme, pavarësisht nëse fitojmë apo humbim”, tha ai.
“Ka më shumë kërcënime me vdekje kur luajmë me tre mbrojtës sesa kur luajmë me katër mbrojtës, dhe pa dyshim disa kërcënime më shumë sa herë që humbim”.
Edhe
Presioni po rritet ndaj Nagelsmannit
Nagelsmann është punonjësi i dytë i Bayernit që është përballur me kërcënime me vdekje këtë javë. Gruaja dhe djali i drejtorit sportiv të Bayernit, Hasan Salihamixhiq, zbuluan gjithashtu se janë kërcënuar pas eliminimit të bavarezëve nga Villarreali, duke postuar pamje të mesazheve private të dërguara në Instagram.
Të premten Nagelsmann tha se nuk pret që Bayerni të rrisë masat e sigurisë.
“Unë nuk dua të provokoj askënd dhe askush nuk është paraqitur ende në shtëpinë time”, tha ai.