Ylli shqiptar i futbollit, Granit Xhaka, ishte temë diskutimi mes dy prej tenistëve më të njohur në botë, Andy Murray e Roger Federer, kur britaniku Murray ka vizituar Zvicrën, për një turne të mbyllur tenisi.
Xhaka është duke shkëlqyer në një rol të ri tek Arsenali i Mikel Artetas, duke luajtur në një pozicion më sulmues. Reprezentuesi i Zvicrës deri tash ka realizuar katër gola e ka tri asistime në të gjitha garat, duke u renditur si golashënuesi i dytë më i mirë i klubit në sezonin e ri. Forma e tij e ka kthyer Xhakën edhe në idhull të tifozëve, me të cilët para një kohe pati pasur përplasje të ashpër.
“I kam shkruar Rogerit, kur aterrova në Basel dhe i thash: ‘Kam zbritur në qytetin e një prej sportistëve më të mëdhenj ndonjëherë në botë: Granit Xhaka. E di se Granit Xhaka është nga këtu. Jam adhurues i flaktë i Arsenalit. Xhaka po luan shumë, shumë mirë këtë sezon. Ka shënuar tjetër gol të mrekullueshëm të dielën’”, ka treguar Murray për “Aargauer Zeitung”.
Federeri konsiderohet si një prej më të mirëve në histori të tenisit e si sportisti më i madh zviceran i të gjitha kohërave. Ai së fundmi u pensionua dhe ka refuzuar të marrë pjesë në turneun e mbyllur të Zvicrës, për të cilin edhe ka diskutuar me Murrayn.