Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muriqi pret fitore edhe ndaj Hungarisë

Pas fitores ndaj Armenisë në Jerevan, sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, pret fitore edhe ndaj Hungarisë më 26 mars në Budapest.

Ai është shprehur shumë i lumtur pas fitores.

“Me rëndësi ka qenë të nisim me fitore ciklin e sivjetmë të miqësoreve dhe ato zyrtare. Siç kemi folur në zhveshtore me rëndësi është të fitojmë, pa marrë parasysh se sot nuk ia arritëm qëllimit taktikisht ose me rezultat, sepse është dashur ta mbyllim ndeshjen më herët. Patëm rastet unë dhe Miloti. Kështu që, do të mësojmë nga gabimet që të mos i përsërisim gabimet nga të cilat kemi vuajtur edhe më parë dhe i kemi përsëritur. Do të mësojmë sa më shpejtë dhe të vazhdojmë edhe në ndeshjen tjetër me Hungarinë që të jemi akoma më komod dhe më të mirë. Ndaj Hungarisë synojmë fitore edhe pse është ndeshje miqësore. Fitorja është fitore. Është më mirë të fitosh edhe në miqësore, pa marrë parasysh sepse e rrit motivimin te lojtarët. Në prag të ndeshjesh me Hungarinë ka qenë shumë e rëndësishme ta nisim me fitore”, ka deklaruar Muriqi pas fitores ndaj Armenisë për faqen zyrtare të FFK-së.