Sulmuesit e Kosovës, Vedat Muriqi dhe Drilon Hazrollaj, janë shprehur optimistë para ndeshjeve miqësore të këtij muaji.
Muriqi i ka vlerësuar me shumë rëndësi miqësoret ndaj Armenisë dhe Hungarisë. Kosova të premten luan në Jerevan ndaj Armenisë, kurse më 26 mars kundër Hungarisë në Budapest.
Sulmuesi i Mallorcas tha se Kosova po e hap një faqe të re.
“Ishte dita e parë e stërvitjeve dhe dita që u njoftuam për së afërmi të gjithë me stafin e trajnerëve. Do ta hapim një faqe tjetër dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë që t’i mësojmë taktikën dhe kërkesat e trajnerit. Në vizitën që trajneri Foda më bëri në Spanjë e kam njoftuar që grupi është i uritur për fitore”, ka thënë Muriqi.
“Dardanët” të hënën zhvilluan stërvitjen e parë nën urdhrat e përzgjedhësit të ri, Franco Foda. Të martën nga ora 11:00 e zhvillon edhe stërvitjen e dytë po ashtu në Kampin Nacional në Hajvali.
Sulmuesi i Malishevës, Drilon Hazrollaj, pret të debutojë për Kosovën në njërën prej dy ndeshjeve miqësore. Ai është grumbulluar për herë të parë me Kosovën.
Edhe
Muriqi pret fitore edhe ndaj Hungarisë
“Ftesa e Kombëtares së Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi. Shpresoj ta ndihmoj Kosovën pasi po kaloj në formë shumë të mirë me klubin tim. Grupi me ka pritur shumë mirë dhe më është dukur sikur të jem me vite pjesë e Kombëtares së Kosovës”, ka thënë Hazrollaj.
Kosova më 5 qershor luan miqësore kundër Norvegjisë në Oslo. Me shumë gjasë në qershor do ta ketë edhe një tjetër ndeshje miqësore para se të nisë me paraqitje në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.