Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka vendosur të mbetet te Fenerbahçe deri në fund të këtij edicioni, pavarësisht ofertave që ka marrë nga ekipet e tjera të Evropës, përcollën të hënën mediumet turke.
Muriqi dëshiron të fitojë titullin e kampionit në Turqi para se të largohet nga Fenerbahçe. Ai ka thënë se është i nderuar që një ekip si Tottenhami ka shprehur interesim për të dhe ka ofruar dëmshpërblim deri në 25 milionë euro për transferimin gjatë këtij muaji.
“Synimi im kryesor është të shpallem kampion me Fenerbahçen dhe për këtë arsye nuk do të marr asnjë ofertë parasysh deri në fund të këtij edicioni. Jam i nderuar që një ekip si Tottenhami ka shprehur interesim për mua dhe kam dëshirë të punoj me Mourinhon, por dua të mbetem te Fenerbahçe për të arritur synimin tim”, ka thënë Muriqi, 25-vjeçar, raportoi “Aksam”.
Sulmuesi kosovar para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Fenerbahçes nga Rizespori dhe ka kontratë deri në vitin 2023. Këtë edicion ka shënuar 11 gola në 17 ndeshje.