Tifozët e Mallorcas kanë një idhull të ri. Është Vedat Muriqi, shkruan të martën gazeta e madhe spanjolle “Marca”.
Sulmuesi mbërriti në ishull për të rritur nivelin e skuadrës. Pavarësisht se nuk ishte zgjedhja e parë, e pranuar kjo nga vetë drejtori i klubit, Pablo Orells, Muriqi ka pastruar çdo dyshim në lidhje me paraqitjen e tij. Në vetëm tri ndeshje ai ka pushtuar stadiumin “Visa Mallorca Estadi”.
Qëndrimi i lojtarit të Kosovës, sakrifica e tij, lufta për të mos e humbur topin... ka bindur shikuesit. Muriqi sjell shumë më tepër se gola. Ai është tip i sulmuesit që kishte nevojë Luis Garcia.
“Ai është një lojtar shumë i ndryshëm nga ata që kishim. Ai është diçka që ndonjëherë na mungonte. Një lojtar që duron dhe fiton duele. Karakteristikat e tij janë shumë të mira për ne”, ka thënë trajneri pas ndeshjes kundër Athletic Bilbaos.

Muriqi asistoi në golin e dytë, ndërsa bëri një pasim vendimtar në golin e fitores, 3:2.
Muriqit i mjaftuan vetëm dy ndeshje, ndaj Rayo Vallecanos dhe Cadizit, që tifozët ta pëlqenin.
Në ndeshjen e tretë me fanellën e re, në tribunën e stadiumit Muriqit iu dedikua një pankartë ku shkruhej “pirati i ishullit, Vedat Muriqi”, diçka që nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët.
Familja e lojtarit e ka shpërndarë pankartën në rrjetet sociale. Dashurinë që e ka fituar shpejtë te klubi spanjoll, sulmuesi i Kosovës nuk e kishte te Lazio. Ishte vazhdimisht në shënjestër të vërshëllimave, pasi pritjet ishin të mëdha kur u transferua në shtator të vitit 2020 nga Fenerbahçe. Muriqi është ende lojtar i klubit italian. Ai është huazuar nga Lazio te Mallorca deri në fund të edicionit.
Ndaj Cadizit në La Liga ka shënuar një gol në fitoren 2:1.
Karrierën si futbollist, Muriqi e ka nisur te Liria e Prizrenit, ndërsa ka luajtur në Shqipëri te Besa e Kavajës dhe Teuta para se të transferohej në Turqi në vitin 2016. Fillimisht luajti te Gençlerbirligi dhe më pas te Girusenspori dhe Fenerbahçe.