Sport

Në Spanjë, Muriqi ka gjetur qetësinë dhe vetëbesimin e humbur në Itali

vedat muriqi, mallorca, sport, la liga, 20 prill, koha

Pasi festoi me bashkëlojtarët, Vedat Muriqi u nis për në qendër të fushës. Ecja e sulmuesit të Kosovës drejt qendrës së fushës pas golit të shënuar të martën mbrëma u përcoll me thirrje dhe duartrokitje nga shikuesit e skuadrës së Mallorcas. Muriqi shënoi golin e dytë, që doli të ishte i fitores 2:1 për Mallorcan kundër Alavesit. Ishte goli i katërt i shënuar për sulmuesin kosovar në 12 ndeshje të luajtura në La Liga deri më tani. Sulmuesi nga Prizrenit thotë se në Spanjë e ka gjetur qetësinë dhe vetëbesimin që i kishte humbur në Itali.

“E kam gjetur qetësinë dhe vetëbesimin që e pata humbur në Itali. Jo vetëm në futboll, por edhe në jetën e përditshme. Nuk dua të zhgënjej personat që më besojnë dhe kjo po reflekton edhe në fushë. Besimin që ma kanë dhënë te Mallorca po mundohem maksimalisht me shpirt dhe fuqi t’ua kthejë, për të mos e zhgënjyer asnjë person që beson tek unë. Jam i kënaqur me formën që po kaloj në Spanjë”, ka thënë Muriqi të mërkurën për KOHËN.

27-vjeçari ishte vendimtar edhe para dy javësh te Mallorca, kur shënoi golin e fitores ndaj kampionit në fuqi të Spanjës, Atletico Madridi. Atleticon e mposhti me shifrat 1:0. Gol i ka shënuar edhe Cadizit në fitoren 2:1, e po ashtu ka realizuar edhe në humbjen 2:1 nga Real Betisi. Ai ka asistuar edhe në fitoren 3:2 të Mallorcas ndaj Athletic Bilbaos. Me paraqitjet e tij, Muriqi ka fituar dashurinë e tifozëve të Mallorcas. Ai është mbështetur shumë nga shikuesit, ndërsa vlerësime ka marrë edhe nga njohës të futbollit në Spanjë.

“Jemi futbollistë dhe nëse jam duke bërë gjëra të mira në fushë, pra duke e ndihmuar ekipin e zemrës së tyre, normalisht se krijon marrëdhënie të mirë. E ndiej totalisht përkrahjen e tyre në tribuna, por edhe në qytet”, është shprehur Muriqi.

Ai nga tifozët e ka marrë nofkën “Pirati”, ndonëse kërkesa e Lazios prej 13 milionë eurosh për kartonin e tij është larg prej mundësive ekonomike që i ka Mallorca.

Muriqi është vlerësuar i shtrenjtë për klubet spanjolle. Mallorca dhe Granada kanë hequr dorë nga blerja e kartonit të tij prej klubit italian, Lazio. Lazio po kërkon 13 milionë euro për Muriqin, ndërsa Mallorca ka hequr dorë nga mundësia e blerjes së sulmuesit kosovar. Lazio nuk e ka në planet e veta për sezonin e ardhshëm. Së fundi në Turqi është raportuar se Fenerbahçe ka kthyer interesimin për blerjen e kartonit të Muriqit. Në garë së fundi sërish është futur edhe Galatasaray. Dëshira e Muriqit është të mbetet pjesë e Mallorcas.

“Faktikisht dëshira ime është të mbesë edhe më gjatë te Mallorca. Më pëlqen shumë ambienti, ekipi, qyteti dhe të gjithë. Por, ja që nuk është në dorën time kjo punë. Duhet të bisedohet zyrtarisht në mes të palëve, nuk po mundem të shprehem për të ardhmen, pasi as vetë nuk e di se ku do të përfundoj”, ka theksuar Muriqi.

Muriqi do të mungojë në ndeshjen e ardhshme ndaj Barcelonës shkaku i kartonëve të verdhë.

Muriqi beson se Mallorca do të mbijetojë në La Liga të Spanjës. Mallorca mban pozitën e 16-të në tabelë me 32 pikë tubuara pas 33 ndeshjeve të luajtura.

“Po, sigurisht se kemi gjasa dhe besoj se jemi favorit për të mbijetuar. Nuk ka fitore pa luftuar për të. Unë besoj se nëse fitojmë edhe dy ndeshje, do të jenë të mjaftueshme për të mbijetuar në La Liga”, ka thënë Muriqi.

Ai është edhe golashënuesi më i mirë te Përfaqësuesja e Kosovës. Ka shënuar 18 gola në 38 ndeshje që nga viti 2016. Para se t’i bashkohej Kosovës, Muriqi luajti për Shpresat e Shqipërisë katër ndeshje. Kosova në qershor e nis një cikël të ri kualifikues. Kosova është në Ligën C të Ligës së Kombeve, së bashku me Qipron, Greqinë, Irlandën e Veriut.

“Jemi në një grup mjaft të fortë. E njohim Greqinë. Deri më tani jemi përballur shumë herë me Greqinë. Nuk mund të ta them se jemi favorit, por ne do të mundohemi ta imponojmë karakterin, fuqinë dhe shpirtin luftarak në fushë. Kjo është e vetmja mënyrë për ta arritur suksesin”, ka thënë Muriqi.