Sport

Muriqi: Boksi tash është komercial, dikur ishtë më i mirë

Elvir Muriqi, ish-boksier, deklaroi se në ditët e sotme boksi në përgjithësi është komercializuar, pasi siç tha ai, po luftohet për para.

I ftuar në “Sporti Total” në KTV të dielën, Muriqi tha se Kosova ka boksier të mirë dhe meçe të mëdha, por sipas tij, në kohërat e kaluara luftohej më fort për kampion.

“Përpara kemi pasur boks, tash është komercial. Jake Paul vjen bokson me dikë që s’di asgjë për boks dhe i merr 10 milionë. Tash edhe jeta është bërë reklamës, boksi ka meçe të mira ende, por jo si përpara”, deklaroi ai.

Sipas ish-boksierit nga Peja, është krenar me librin e shkruar për biografinë e tij. Ai tha se në të janë përmbledhur rrëfime nga jeta dhe karriera e tij.

“Jam ndier shumë krenar, e falënderoj autorin Artanin që ka marrë kohën për të kapur çdo send të karrierës time. Normal që e ndjej veten krenar që vjen koha të dalë libri për ty. Çdo njeri besoj se do të donte të shijonte atë çast”, deklaroi ai, derisa tha se me autorin e librit, Artan Vërbicën, ka qenë në kontakt për çdo informatë që i duhej.

Ai tha se lexuesve do t’iu pëlqejnë rrëfimet e tij në libër, ndërsa shtoi se ka gjëra “që do t’i bëjë krenarë njerëzit dhe të mburren me historitë”.

Muriqi tha se edhe në libër i ka veçuar dy meçet kryesore.

Tash ai po merret me biznese të tjera, ndërsa shtoi se po të donte, ka mundur të ishte edhe trajner boksi.

“Nëse dua t’i përkushtohem boksit, jam ushtruar nga trajnerët më të mirë në botë, do të bëhesha trajner. Por nuk po merrem më me atë punë. Jam bërë familjar dhe kam pasur një restorant”.