Trajneri i skuadrës së Gjilanit, Ismet Munishi, ka thënë se nuk e ka parë incidentin i cili ndodhi me portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri.
Pas golit të shënuar nga portieri i Gjilanit, Enea Koliqi, i cili i barazoi shifrat në duelin kundër Ballkanit 1:1 në minutnë e 95-të, tifozë të skuadrës vendëse hynë në fushë.
Portieri i Ballkanit, Frashëri, në pamjet e publikuara nga transmetuesi i ndeshjes “Art Motion”, u kap për fyti nga një tifoz, e nga një tjetër u shqelmua derisa Frashëri ishte në tokë. Ky gjest bëri që ndeshja të suspendohej.
“Nuk kam koment për incidentin sepse për të, sigurimi është përgjegjës. Nuk e pash sepse isha duke u gëzuar për vete. Vrapova më pas atje, kam tentuar t’i ndajë stafin e Ballkanit dhe të Gjilanit, ta qetësojmë situatën”, tha fillimisht Munishi, i cili më pas foli edhe për lojën në tërësi.
“Sa i përket ndeshjes, ishte ndeshje e mirë. Tentuam, kishim raste për të shënuar. Erdhi goli i Enea Koliqit. Çfarë të them, nuk ndodh të shohim shpesh në fushat e futbollit të shënojë një portier. Enea është super portier. Po të kishte vazhduar loja, ndoshta do ta kishim përmbysur rezultatin”, tha Munishi.
“Nuk dua ta komentoj atë rast sepse nuk i di rrethanat, nuk kam parë asgjë. Çfarëdo që them, do të thosha diçka që nuk e kam parë. Nuk e di gjendjen e Stivi Frashërit. Isha duke u marrë me futbollistët, në përgjithësi i kemi marrëdhëniet e mira me Ballkanin. Vendimet merren prej tjetër kujt, nuk na takon neve. Nuk kemi qejf të ndodh e të shohim skena të tilla”, përfundoi Munishi.