Çfarëdo që të ndodhë në fushë, ky Botëror do të jetë i veçantë për Argjentinën.
Ka të ngjarë të jetë Botërori i fundit për Lionel Messin dhe është i pari që nga vdekja e Diego Maradonas. Legjenda argjentinase vdiq saktësisht dy vjet më parë.
Maradona, futbollisti i dashur i vendit të tij – i quajtur madje edhe “Zoti” - kishte qenë prezent për Argjentinë në çdo Kupë Botërore që nga viti 1982, si lojtar dhe trajner ndër të tjera. Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare, më 25 nëntor të vitit 2020, një datë që shumica e argjentinasve nuk do ta harrojnë kurrë. Legjenda argjentinase vdiq ndërsa ishte nën kujdesin spitalor në shtëpinë e tij, pas një operacioni në tru. Autoritetet gjyqësore vazhdojnë të hetojnë nëse ishte e pranishme neglizhenca mjekësore. Disa homazhe iu bën të premten Maradonës, si në Argjentinë ashtu edhe në Katar.
“Diego është i pavdekshëm, ai është ende me ne”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të premten përpara një statuje të përmasave reale të Maradonës, të zbuluar në një ngjarje në Katar, e të organizuar nga konfederata e futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL. “Atë që ky njeri ka bërë që njerëzit të bien në dashuri me këtë sport, ndoshta askush tjetër nuk ka mundur ta bënte”.
Infantino tha se në çdo Botëror në vazhdim do të jetë një ditë e rezervuar për të nderuar Maradonën.
“Të gjithë e dinë për sinqeritetin dhe karizmën unike që kishte Diego”, tha Infantino. “Ai ishte një lider i madh në Argjentinë, Amerikën e Jugut dhe në mbarë botën. Ne duhet të vazhdojmë ta nderojmë atë”.
Disa ish-shokë skuadre të Maradonës tek Argjentina ishin në ngjarjen në Katar.
Në Buenos Aires u shfaq një mural i madh i Maradonës, i veshur me fanellën e ekipit. Pjesa masive e veprës së artit është e lartë 45 metra dhe është pikturuar në anën e një ndërtese 14-katëshe në kryeqytetin argjentinas. Një tjetër mural me imazhet e Maradonës u prezantua në Doha, jo shumë kilometra larg nga ku Lionel Messi dhe Argjentina u tronditën 2:1 nga Arabia Saudite në ndeshjen hapëse të Botërorit.
Messi, që po luan në Kupën e pestë të Botës, i kishte thënë FIFA-s përpara turneut të Katarit se ishte “e çuditshme, ndryshe” të mos e shihte Maradonën në tribuna. Ai tha se ndiente se Maradona do të ishte gjithmonë “i pranishëm diku”.
Maradona luajti në katër Kupa Botërore nga viti 1982 deri në 1994, dhe ishte trajner i ekipit në vitin 2010. Disa nga momentet e tij më të mira - dhe më të këqija - erdhën në Kupën e Botës, nga goli “Dora e Zotit” kundër Anglisë në vitin 1986 deri në testin e tij të dështuar të dopingut, që e përjashtoi atë nga turneu në vitin 1994. Maradona e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit në vitin 1986, kur goli i tij me dorë në çerekfinale kundër Anglisë u bë një nga më të mëdhenjtë - dhe më të diskutueshëm - në historinë e turneut. Në të njëjtën ndeshje, ai shënoi një nga golat më të mirë të Kupës së Botës ndonjëherë.
Jo shumë kohë përpara nisjes së Kupës së Botës 2022, Federata e Futbollit të Argjentinës mori fanellën origjinale që Maradona kishte veshur në turneun e vitit 1986, si dhuratë nga gjermani Lothar Matthaus, i cili shkëmbeu fanellat me Maradonën pas fitores 3:2 të Argjentinës në stadiumin “Azteca” në Meksikë. Si trajner i Argjentinës në vitin 2010 në Afrikën e Jugut, Maradona udhëhoqi ekipin deri në çerekfinale, ku u eliminua nga Gjermania. Një nga imazhet më shqetësuese të yllit në një Kupë Botërore erdhi tetë vjet më vonë në Rusi, kur një Maradonë në mbipeshë dhe disi i çorientuar u rrëzua në stadiumin e Shën Petersburgut pas fitores 2:1 ndaj Nigerisë. Messi shënoi një nga golat.
Messi 35-vjeçar mund të mos rikthehet për Botërorin tjetër katër vjet më vonë. Dhe, nëse ai nuk mund të gjejë një mënyrë për ta udhëhequr skuadrën drejt një rezultati të mirë kundër Meksikës në ndeshjen e dytë, të shtunën, Botërori i parë i Argjentinës pa Maradonan do të përfundojë edhe për Messin.