Asistenti i kamotshëm i Jose Mourinhos, Rui Faria ka njoftuar se do të largohet nga posti te Manchester Unitedi, duke i dhënë fund edhe punës 17-vjeçare me menaxherin portugez.
Faria ka qenë njëri prej anëtarëve më besnik të stafit të trajnerëve të Mourinhos dhe ka qëndruar përkrah tij që kur nisi punën si menaxher te klubi portugez Leiria në vitin 2001, transmeton Koha.net.
“Pas një mendimi të gjatë dhe me plot zemër, kam vendosur se është koha e duhur për të ecur përpara”, ka thënë Faria për faqen zyrtare të Unitedit. “Kam kaluar 17 me plotë përvoja të paharruara dhe të mrekullueshme”.
“Sidoqoftë, e ndjej se është koha e duhur për të kaluar kohë me familjen para se të filloj një sfide të re në jetën profesionale. I falënderohem menaxherit, Jose Mourinho, për besimin që pati me mua për tërë këto vite, kur unë isha student ëndërrimtar. E falënderoj për mundësinë, për njohuritë dhe përvojën, por më së shumti për shoqërinë e tij”.
42-vjeçari është përmendur si kandidat për postin e menaxherit të Arsenalit, por përkundër këtyre raportimeve, Mourinho i ka uruar fat shokut të tij Faria.
“17 vjet dhe fëmija u bë burrë. Studenti inteligjent tani është ekspert futbolli dhe i gatshëm të nis karrierën si menaxher. Do të më mungoj shoku im dhe kjo është gjëja më e vështirë për mua, por lumturia është mbi të gjitha dhe respektoj vendimin e tij, sidomos kur e di se do të jemi bashkë”, ka thënë Mourinho.