Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho është shprehur i lumtur me tri pikët e fituara kundër Evertonit.
Pas fitores 2:1, Mourinho ka deklaruar për BBC Sport se të përzgjedhurit e tij kishin kontroll të madh të lojës.
"Ne filluam mirë. Në gjysmën e dytë kemi luajtur edhe më mirë. Kishim kontroll të madh të lojës, kualitetit, krijimtarisë, posedimit, ishim të fortë në mbrojtje dhe nuk e meritonim 15 minutat e fundit. Isha i kënaqur me gjyqtarin Jonathan Moss, por ai po testonte durimin tim në 6 minutat shtesë. Kur fiton, është gjithmonë e vështirë për emocionet dhe zemrën”, u shpreh tekniku portugez.
Ai ka folur edhe për performancën e belgut Lukaku në ndeshjen e sotme kundër Evertonit.
"Kur ai hyri në lojë, ishte i shkathët, duke lëvizur mirë, duke mbajtur topin më mirë se në javët e fundit", pohoi Mourinho, transmeton kp.
Pas kësaj fitoreje, e pesta në këtë sezon, Unitedi renditet i teti në tabelë me 17 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar, derisa tabelës vazhdon t’i prijë Liverpooli me 26 pikë.