Sport

Motra e madhe trasoi rrugën, e vogla luajti e para ndeshje zyrtare

Mirejta Bytyqi ka luajtur në të kaluarën për Slloveninë dhe ende nuk e ka të drejtën e paraqitjes për Kosovën në takime zyrtare. Ajo ka luajtur për Kosovën në një turne në Turqi, ndërsa të drejtën për ndeshje zyrtare e fiton në korrik. Por, Mirjeta ka hapur rrugën drejt përfaqësueses për motrën e vogël, Mërgime Bytyqi. Mërgimja tashmë ka debutuar te Kosova në takime kualifikuese. Motrat Bytyqi kanë folur për KOHËN për rrugëtimin e pazakontë

Në vitin 2018 luajti për Slloveninë në Lojërat Mesdhetare. Në nëntor të vitit 2019 luajti për Kosovën në një turne në Antalya. Ndeshjet në qytetin bregdetar turk ishin debutuese për hendbollisten cilësore, Mirjeta Bytyqi, si pjesë e Kosovës. Prej saj presin shumë në Federatën e Hendbollit të Kosovës.

Por Mirjeta Bytyqi ende nuk e ka fituar të drejtën që me Kosovën të luajë ndeshje zyrtare. Po i kushton ende paraqitja me Slloveninë në Lojërat Mesdhetare. Prej ndeshjes së fundit me Slloveninë duhet të kalojnë tre vjet që 23-vjeçarja të fitojë të drejtën e paraqitjes me Kosovën. Tre vjet bëhen në korrik.

Një vajzë tjetër e familjes Bytyqi tashmë ka debutuar për Kosovën në ndeshje zyrtare. 19-vjeçarja Mërgime Bytyqi ishte pjesë e përfaqësueses së Kosovës në turneun kualifikues për Botëror të mbajtur më herët këtë muaj në Austri. Mërgimja e fitoi rastin të debutojë ndaj Austrisë, ndërsa ishte në përbërje edhe ndaj Italisë. Kosova i humbi dy ndeshjet, por FHK-ja ka vlerësuar se paraqitjet ishin të mira.

Mërgimja është motra e vogël e Mirjetës, e cila ia ka trasuar rrugën për në përfaqësuese. Me ekipin në Austri ishte edhe Mirjeta Bytyqi, që po bëhet gati për debutim në ndeshje zyrtare. Ajo aktualisht vlerësohet lojtare e nivelit më të lartë se Mërgimja. Është pjesë e skuadrës Mlinotest Ajdovshçina, që për nga cilësia është e dyta në Slloveni, pas Krim Mercator.

Mirjeta ka disa vjet që luan për Mlinotestin, ndërsa mbulon pozitën e bekut të djathtë, ku lojtaret cilësore kosovare janë të rralla. Ndërkohë Mërgimja luan alo e majtë dhe është pjesë e skuadrës Koper. Këtë edicion ka luajtur disa ndeshje të mira në elitën e Sllovenisë, por megjithatë kontributi i saj te Kosova nuk ishte i madh.

Mërgime Bytyqi ka 11 vjet që merret me hendboll. Prej fillimit ishte pjesë e Koperit. Ajo nuk ka luajtur për Slloveninë ndonjëherë dhe për këtë arsye e kishte të drejtën që menjëherë të debutojë për Kosovën, që nuk është rast me Mirjetën.

“Nuk e kam pritur ftesën e Kosovës. Jam ndier shumë e lumtur dhe krenare që po i bashkohesha Kosovës. Gjithnjë e kam pasur ëndërr të luaj për përfaqësuese. Me plot krenari dhe dëshirë e kam përfaqësuar shtetin tonë”, ka thënë Mërgime Bytyqi për KOHËN.

Paraqitjen me përfaqësuese ajo e ka parë edhe si mundësi që të lidhet më shumë me Kosovën.

Image

Mërgime Bytyqi për të dytin edicion po luan në elitën e Sllovenisë. Ajo është e kënaqur me paraqitjet, por thekson se çdo herë ka vend për zhvillim e përmirësime.

“Motra e madhe ka pasur shumë ndikim të madh tek unë, sidomos në fillim të karrierës në hendboll. Gjithmonë i kam ndjekur ndeshjet e saj dhe kjo më ka shtyrë që edhe vetë të merrem me hendboll dhe vazhdoj të jem pjesë e këtij sporti”, ka shtuar Mërgime Bytyqi, që veten e sheh edhe si trajnere të kategorive të reja.

Mirjeta Bytyqi është në edicionin e pestë te Mlinotest Ajdovshçina. Është prej lojtareve më të vlerësuara. Ajo kohë më parë e ka vazhduar kontratën me Mlinotestin, ndërsa është e përkushtuar që edhe te Kosova të japë kontribut.

Te Kosova presin që Mirjeta të japë kontribut të madh në mbrojtje e në sulm dhe ta dërgojë përfaqësuesen në nivel më të lartë. Por, edhe ndeshjet parakualifikuese për Evropianin e ardhshëm, Kosova do t’i luajë pa Mirjeta Bytyqin në përbërje. Ato ndeshje janë në fund të majit e në fillim të qershorit.

Mirjeta thotë se te Kosova e kanë pranuar shumë mirë, ndërsa përpjekjet e saj do të jenë që të japë më të mirën dhe të ndihmojë ekipin. Edhe ajo ka nisur karrierën te Koperi e më pas kaloi te skuadra më e madhe.

“Prej momentit të parë jam ndier shumë mirë te Kosova. Jam bashkuar fillimisht për ndeshjet miqësore në Antalya. U kuptova me të gjithë ekipin dhe vendosa ta përfaqësoj Kosovën. Që nga fillimi vajzat më kanë pritur jashtëzakonisht mirë, kështu që kam luajtur pa ndonjë tremë. Ato ma bënë më të lehtë vendimin që të bashkohem me përfaqësuese. Tani vetëm po pres që të fitoj të drejtën e paraqitjes në ndeshje zyrtare”, ka theksuar Mirjeta Bytyqi.

Në Slloveni mbetën pak të shokuar kur Mirjeta i njoftoi se do ta përfaqësojë Kosovën. Ndërkohë, në Kosovë i janë gëzuar shumë vendimit të saj.

Pjesë e përfaqësueses së Kosovës janë edhe motrat Marigona e Arlinda Hajdari, që po paraqiten me sukses në Danimarkë. Motrat Hajdari kanë shfaqur formë të mirë në ndeshjet në Austri, por kontributi i tyre nuk ishte i mjaftueshëm.