Në stërvitje ishte prej lojtareve më të angazhuara. Ndërkohë në ndeshje ishte vetëm një përkrahëse e madhe e bashkëlojtareve të saj. Qëndronte në tribunë ku me emocion e përjetonte secilin moment.
Mirjeta Bytyqi po e pret ende ditën kur do të ketë të drejtë të luajë për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Ajo ka kaluar nga përfaqësuesja e Sllovenisë te përfaqësuesja e Kosovës dhe për të fituar të drejtën e lojës duhet të kalojë një periudhë e caktuar kohore.
Por Mirjeta nuk po rri duarkryq deri në ditën kur do të ketë të drejtë të veshë fanellën e “Dardaneve” në ndeshje zyrtare. Për një javë ajo ka ushtruar me hendbollistet tjera të Kosovës nën urdhrat e selektorit Agron Shabani. Ka dhënë kontribut të madh në stërvitje, ndërsa është angazhuar që atmosfera të jetë sa më e mirë në grupin e vajzave, me pozitivitetin dhe modestinë që e karakterizon.
Gjatë ndeshjeve nuk ka qëndruar në bankë apo në fushën e lojës. Së bashku me lojtare të tjera ka qëndruar në tribunë. Për ndeshjen e së enjtes ndaj Qipros qëndroi me Areta Istrefin, që po ashtu nuk ka të drejtë loje dhe ishte pjesë e grumbullimit të Kosovës. Të premten ndaj Luksemburgut dhe të shtunën ndaj Portugalisë, Mirjetës e Aretës iu bashkua Arlinda Hajdari. Ajo pësoi lëndim serioz në ndeshjen ndaj Qipros dhe pritet të mungoi për një kohë.
Mirjeta Bytyqi vlerësohet prej hendbollisteve më cilësore shqiptare. Ka luajtur për Slloveninë në të kaluarën, së fundi në Lojërat Mesdhetare të vitit 2018. Rregullat thonë se për të ndryshuar përfaqësuese në hendboll duhet të kalojnë tre vjet. Dhe 23-vjeçarja plotëson këtë kusht pas afro një muaji.
“Jam krenare që mund të vij këtu dhe t’u ndihmoj vajzave dhe të ushtroj. Edhe pse nuk kam drejtë ende të luaj, por kur ta fitoj të drejtën të paktën të jem gati dhe të jem e përgatitur duke i njohur shoqet, lojën dhe aspektet e tjera rreth përfaqësueses. Jam tubuar me ekipin për ta parë si po më duket këtu, të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe nuk ka qenë e vështirë ta marr vendimin ta përfaqësoj Kosovën”, ka thënë Mirjeta Bytyqi për KOHËN.
Majtakja për herë të dytë grumbullohet me Kosovën, e vetëdijshme se nuk do të luajë. Ka udhëtuar dy herë nga Sllovenia për në Kosovë, për orë të tëra, që të jetë në shërbim të selektorit, ndonëse vetëm për stërvitje. Mirjeta kishte debutuar në vjeshtë të vitit 2019, në një turne në Turqi. Ardhja e saj vlerësohet shumë e rëndësishme për Kosovën. Përfaqësuesja do të jetë dukshëm më e kompletuar me Mirjeta Bytyqin në përbërje.
“Më herët kam luajtur për Slloveninë dhe nuk kanë kaluar ende tri vjet. Më duhet të pres derisa të kalojnë për ta pasur të drejtën ta përfaqësoj Kosovën. Pak është vështirë t’i shoh nga tribuna bashkëlojtaret, por motivin e kam të madh dhe mezi pres ta kem edhe unë rastin të luaj për Kosovën”, ka theksuar Bytyqi.
Ajo luan për ekipin e dytë më të fortë në Slloveni, Mlinotest Ajdovshçina. Pos karrierës në hendboll edhe punon. Por prapë ka gjetur kohë që të bashkohet me Kosovën, ndonëse i është dashur të sakrifikojë për këtë.
“Unë luaj në Mlinotest Ajdovshçina që pesë vjet. E kemi zënë vendin e dytë në Ligën e Parë. Kaloj shumë mirë atje, luaj rregullisht”.
Kosova fitoi ndaj Qipros dhe Luksemburgut në fazën e parë kualifikuese për “Euro 2022”. Por të shtunën humbi nga Portugalia bindshëm dhe nuk mundi të avancoi në fazën e dytë kualifikuese. Pati telashe të shumta me fond të lojtareve. Pos lëndimit të Arlinda Hajdarit, që ishte më e mira në ndeshjen e parë, disa lojtare u prekën nga koronavirusi gjatë grumbullimit. Ndërkohë shumë të tjera si Leonora Demaj, Albana Arifi, Kristina Ukaj, Shkurta Mehmeti, Sara e Rina Rexhepi, nuk u grumbulluan fare, kryesisht për shkak të lëndimeve.
Portugalia këtë herë ishte e pakalueshme, por me Mirjeta Bytyqin në përbërje dhe kthimin e të tjerave nga lëndimet, gjasat do të jenë dukshëm më të mëdha për të përballuar përfaqësuese të këtij niveli.