Trajnerët e Dritës dhe të Gjilanit janë ndarë të kënaqur me paraqitjet e skuadrave të tyre në derbin lokal të Gjilanit në xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës.
Drita dhe Gjilani ndanë pikët pas barazimit 1 me 1, në ndeshjen që njihet si derbi më i madh lokal në vend.
Arbnor Morina i Gjilanit ka lavdëruar ekipin e tij që akoma mbetet i pamposhtur duke thënë se në lojë u vunë re katër mungesat e ekipit të parë.
“Të luash në derbi pa pesë lojtarë është e mrekullueshme të kesh lojë të tillë. Derbi fenomenal me raste të shumta të krijuara. Këtë e ka derbi. Patëm raste të mira në lojë, po luajmë mirë por në derbi edhe barazimi është i pranueshëm”, ka thënë Morina duke shtuar se po të mos kishte mungesa, Gjilani do të luante më ndryshe, raporton Koha.net.
Në anën tjetër, trajneri i Dritës ka thënë se skuadra e tij ishte ekip më i mirë në fushë, dhe se rezultati nuk ishte real.
“E pamë pjesën e parë të baraspeshuar. Patëm disa raste të mira për gol, por fati ishte në anën e tyre. Barazimi nuk ishte real”, ka thënë Zuzaku.