Sulmuesi i Juventusit, Alvaro Morata konfirmoi se trajneri Massimiliano Allegri e bindi atë të qëndronte në klub gjatë janarit dhe është i përgatitur të përballet me atë që e ardhmja i rezervon.
Huazimi dyvjeçar i Moratas në Juventus skadon në verë dhe “Zonja e Vjetër” nuk është e gatshme ta blejë përfundimisht kartonin e tij në vlerë prej 35 milionë euro.
“Kishte shumë opsione, fola me trajnerin, sepse po kaloja diçka që e kisha përjetuar tashmë në klube të tjera. Unë nuk jam një sulmues fizik, kam nevojë për hapësirë për të vrapuar”, deklaroi Morata.
Morata ka thënë vazhdimisht se do të dëshironte të qëndronte në Torino, por ai është i vetëdijshëm se e ardhmja nuk varet vetëm prej tij. Sipas raporteve në Itali dhe Spanjë, ai është bërë një nga objektivat e Arsenalit për sezonin e ardhshëm dhe 29-vjeçari nuk e ka mbyllur derën për një rikthim në Angli, pavarësisht nga një periudhë e parë zhgënjyese sa ishte pjesë e Chelseat.