Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Morant kthehet dhe ndihmon Memphisin të fitojë

Basketbollisti i Memphis Grizzlies, Ja Morant, ka thënë se reagimi i tifozëve e ka ndihmuar shumë për t’u kthyer pas dënimit prej tetë ndeshjeve.

Morant 23-vjeçar, ishte i suspenduar nga liga NBA pasi u shfaq një video e tij në rrjetet sociale duke mbajtur armë në një klub nate në Colorado.

Ai luajti si zëvendësues në fitoren 130:125 ndaj Houston Rockets.

Morant luajti 24 minuta kundër Rockets dhe e mbylli ndeshjen me 17 pikë, katër kërcime e pesë asistime.

Ndërkohë, Luka Donçiq regjistroi 30 e më shumë pikë për herë të 41-të në këtë edicion, më së shumti brenda një kampanje në ligën NBA për Dallasin.

Megjithatë, pikët e tij nuk ndihmuan skuadrën ta shmangë humbjen 127:125 nga Golden State Warriors.

Donçiq u kthye pas pesë ndeshjeve mungesë për shkak të lëndimit dhe regjistroi 30 pikë e 17 asistime.

Stephen Curry e mbylli takimin me 20 pikë dhe 13 asistime për “luftëtarët”, që janë në vendin e gjashtë në Konferencën e Perëndimit, tri vende më lartë se Dallas Mavericks.

Artikuj të ngjashëm