Sport

Mitrovica fiton finalen e Kupës me rezultatin 10:0

Mitrovica po e vazhdon dominimin e plotë në futbollin e femrave në vend. Të hënën Mitrovica e ka fituar Kupën e Kosovës për vitin 2020 me rezultat jo shumë të zakonshëm për një finale.

Mitrovica fitoi ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë me rezultatin 10:0. Zakonisht në finale të Kupës paraqiten skuadra me cilësi të përafërt, por ky nuk ishte rast të hënën.

Mitrovicaset kanë dominuar plotësisht dhe lehtë e bindshëm e fituan finalen. Këtë e pranuan të gjithë pas ndeshjes finale. Edhe trajneri i Llapit, madje. Finalja e edicionit të kaluar është dashur të zhvillohet më herët, por për shkak të situatës me koronavirus dhe pamundësisë për të gjetur termin të lirë, është luajtur vetëm të hënën.

“Realisht ne jemi ekip i ri dhe i pabarabartë me Mitrovicën sa i përket cilësisë, por vetë arritja deri në finale të kupës për ne ka qenë një sukses historik. Duhet pranuar se aktualisht Mitrovica është një rival i pandalshëm në garat vendore sa i përket futbollit të femrave”, ka thënë Driton Rrahmani pas ndeshjes.

Kaltrina Biqkaj i shënoi tri gola, kurse nga dy i realizuan tri lojtare.

Serinë e golave Biçkaj e nisi duke shënuar pas vetëm tre minutave lojë. Andisiwe Mgcoyi dyfishoi epërsinë pas gabimit të portieres Diellza Mehmeti, derisa

Mgcoy shënoi me asistim të Biçkajt.

Pa kaluar shumë minuta në pjesën e dytë, për Mitrovicën shënoi Edona Kryeziu, e më pas Biçkaj shënoi nga penalltia të cilën e siguroi vetë.

Për golin e gjashtë të Mitrovicës sërish u përkujdes Kryeziu, ndërsa Biçkaj kompletoi “hat-trickun”, që ishte goli shtatë në ndeshje.

Dy golat e radhës për mitrovicaset i shënoi Suada Jashari, kurse të fundit Blerta Shala.

“Jam shumë e lumtur që shënova sërish ‘het-trik’ dhe që arritëm t’i gëzohemi edhe një trofeu. Mbyllja e vitit me titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës është një gjë shumë e mirë si për ne, ashtu edhe për klubin”, ka theksuar Biçkaj.

Në fakt, ka kohë që futbolli i femrave në vend vuan për mungesë të konkurrencës. Kjo nuk pritet të ndryshojë shpejt dhe po ndikon edhe në zhvillimin e futbollit te femrat.

Edhe trajneri Veton Çitaku ka theksuar se është përmbyllur viti i suksesshëm i futbollisteve të klubit Mitrovica.

“Është një ndjenjë e posaçme fitimi i trofeve, por mendoj se kjo ishte një ndeshje jo e barabartë në aspektin e kualitetit, pasi Llapi ka lojtare të reja. Sidoqoftë, këto suksese të Mitrovicës vijnë pas një organizimi shumë të mirë dhe pune të vazhdueshme që bëhet në klub në tre vjetët e fundit”, ka thënë Çitaku.

Mitrovica në Ligën e Parë të femrave prin me 24 pikë, dy më shumë se Kosova VR që është në vendin e dytë dhe ka një lojë më shumë të zhvilluar. Mitrovica nuk pritet të ketë telashe për të mbrojtur trofe, nëse ndërkohë gjendja në terren nuk ndryshon.