Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ministria e Sportit konfirmon hetimet për dyshimet për kurdisje në Superligë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konfirmuar se në bashkëpunim me organet vendore, autoritetet franceze dhe organizatat ndërkombëtare kanë nisur hetimet për dyshime për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës.

Për ndeshjet e kurdisura janë vënë baste si në Kosovë ashtu edhe në Francë, ka njoftuar Juridiksioni i Specializuar Ndër-rajonal i Nancyt, një institucion hetues në Francë. Janë arrestuar nëntë persona, prej tyre katër nga Kosova, sipas Le Parisien. Klubi i përfshirë në këtë skandal është Llapi, që ka mohuar gjithçka.

MKRS-ja ka thënë se nuk mund të jep detaje, të cilat sipas tyre, mund të dëmtojnë hetimin.

“Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media. Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive”, thuhet në reagim.

MKRS-ja tutje ka thënë se do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.