Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet e tjera ndërkombëtare për t’i hetuar raportime për kurdisje të ndeshjeve, që u publikuan nga mediat franceze të enjten.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e mbajtur të premten, sipas njoftimit, ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative. Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore”, thuhet në reagimin e FFK-së.
“FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale. FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi”, vijon reagimi i tyre.
FFK-ja ka kujtuar se monitoron të gjitha ndeshjet “për parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll në partneritet me kompanitë e aranzhuara nga UEFA”.
“Kampionati ynë vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve, prandaj si FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë”, thuhet në reagim.
Autoritetet në Francë të enjten kanë arrestuar nëntë persona të cilët dyshohen për kurdisje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës. Sipas Le Parisien, klubi i Llapit është i përfshirë në kurdisjen e katër ndeshjeve.
Llapi i ka mohuar akuzat për kurdisje ndeshjesh. Ka thënë se krejt kjo po bëhet për ta dëmtuar imazhin e klubit.