Sulmuesi Rafel Leao është shprehur shumë i lumtur që ka firmosur kontartën e re me Milanin, pasi ka thënë se gjithmonë ka dashur që të jetë pjesë e klubit për një periudhë më të gjatë.
Të premten, Milani ka zyrtarizuar kontratën e re me Leaon, e cila do ta mbajë në klub deri në verën e vitit 2028.
Edhe pse nuk janë zbuluar detajet tjera, mediumet italiane kanë raportuar se paga vjetore e Leaos me kontratën e re është ngritur në pesë milionë euro, si dhe dy milionë tjera në formë bonusesh.
Gjithashtu, në kontratën e re, portugezi ka të përfshirë edhe një klauzolë lirimi në vlerë prej 175 milionë eurosh.
“Jam shumë i lumtur, pasi kjo është diçka që kam dashur gjithmonë. Tani, fokusi im është ta ndihmojë ekipin të ketë suksese dhe të arrij synimet në edicionin e ri”, ka thënë Leao.
Ai është pjesë e Milanit prej vitit 2019, ndërsa në total ka shënuar 41 gola dhe ka bërë 29 asistime në 162 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.