Skuadra e Milanit ka shprehur interesim për sulmuesin e Spezias, M’Bala Nzola, kanë raportuar të dielën mediumet italiane.
Mësohet se Milani tashmë ka kontaktuar Spezian pasi po synon transferimin e sulmuesit gjatë afatit kalimtar të janarit. Milani është në kërkim të një sulmuesi pasi Zlatan Ibrahimoviq nuk do të jetë i gatshëm për lojë deri në fund të janarit për shkak të lëndimit.
Nzola këtë edicion ka treguar paraqitje të mira në Serie A, me fanellën e Spezias pasi ka shënuar gjashtë gola në tetë ndeshje. Ai te Spezia u transferua në fillim të tetorit nga Trapani dhe ka kontratë deri në vitin 2023.