Sport

Milani nis mbrojtjen e titullit ndaj Udineses

Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, do ta nisë mbrojtjen e titullit të shtunën në orën 18:30 në “San Siro” kundër Udineses, kur edhe nis sezoni i ri.

Mbrojtësi i “rossonerëve”, Alessandro Florenzi, i cili u transferua përfundimisht nga Roma, beson se shpirti i ekipit mund të luajë rol në mbrojtjen e titullit.

Një nga rivalët kryesorë të Milanit për titull është Interi, që do të luajë të shtunën në mbrëmje në udhëtim te Lecce, ndërsa ekipet e kryeqytetit, Roma dhe Lazio, do të kërkojnë fitore ndaj Salernitanas si mysafir dhe Bolognas në shtëpi respektivisht.

Roma mbështetet tek aftësitë e Tammy Abrahamit në sulm, bashkë me transferimin e ri, Paulo Dybala, që u transferua në Romë si futbollist i lirë.

Abrahami beson se vendimi për t’iu bashkuar “giallorossëve” një vit më parë, ka qenë më i miri në karrierën e tij.

Raundi i parë i elitës së futbollit të Italisë mbyllet të hënën me dy ndeshje.

Verona e pret Napolin në orën 18:30, kurse Juventusi luan në shtëpi kundër Sassuolos në orën 20:45.

Max Allegri, trajneri i Juventusit, ka thënë se është detyrë e të gjithëve që ta sjellin titullin sërish në Torino.