Futbollisti i Kosovës dhe i skuadrës së Lilleit në Francë, Edon Zhegrova, u fol se mund të kalonte tek Arsenali, por “luftën” më të madhe për të siguruar shërbimet e tij po e bëjnë skuadrat italiane, Milani dhe Napoli. Të dy gjigantët e futbollit italian po shikojnë opsione për të transferuar një sulmues krahu.
Zhegrova, i cili ka kontratë me Lillein deri në qershor të vitit 2026, është në mesin e lojtarëve të pëlqyer, raportojnë mediat në Itali të mërkurën. Mediumi i madh italian “Il Corriere dello Sport”, ka bërë të ditur se 24-vjeçari është prej kandidatëve për ta zëvendësuar Hirving Lozanos e Napolit.
Lozano mund të largohet në verë në drejtim të Premier Leagues apo elitës së futbollit francez. Gazeta italiane thotë se Napoli dhe Lille kanë marrëdhënie të mira, por kjo nuk do të thotë se kampioni i Italisë ka përparësi në transferimin e futbollistit të Kosovës.
Milani po ashtu ka interesim për Zhegrovën, shkruan gazeta tjetër italiane, “Tuttosport”. Futbollisti i talentuar pëlqehet nga “rossonerët”. Milani është edhe në kërkim të Adama Traores, Riccardo Orsolinit, Hakim Ziyechit dhe Nicolo Zaniolos.
Zhegrova në edicionin e sivjetmë me Lillein ka zhvilluar 24 ndeshje. Ka shënuar katër gola ndërsa ka kontribuuar edhe me pesë asistime.