Miami Heati ka mposhtur skuadrën Philadelphia 76ers për ta mbajtur gjallë shpresën për kualifikim në plejofin e ligës NBA.
Heati krijoi epërsi prej 10 pikëve në çerekun e parë dhe e ruajti epërsinë deri në fund të ndeshjes të cilën e fitoi 129:101.
Jimmy Butler dhe Tyler Herro shënuan nga 24 pikë secili.
Miami është vetëm një fitore prapa vendit të gjashtë, Brooklyn Netsit, në Konferencën e Lindjes.
Deri në fund të sezonit të rregullt kanë mbetur edhe dy ndeshje.
Edhe
Kompletohen skuadrat e plejofit në NBA
Gjashtë vendet e para shkojnë direkt në plejof, dhe e shmangin kualifikimin nëpërmjet turneut ku luajnë katër skuadra, nga vendi i shtatë deri në vendin e dhjetë.
76ers, që është në pozitën e tretë në Konferencën e Lindjes, e ka siguruar tashmë kualifikimin në plejof.
Në duelet tjera, Kevin Durant shënoi 29 pikë, 12 prej të cilave në çerekun e fundit. Phoenix Sunsi fitoi ndaj Denver Nuggets, 119:115, në Konferencën e Perëndimit.
Ishte fitorja e shtatë rresht për Sunsin.
Utah Jazz nuk do të luajë në plejof, pasi u mposht 114:98 nga Oklahoma City Thunder.
Jazzi duhej të fitonte për të pasur një shans për kualifikim nëpërmjet turneut.
Oklahoma është në vendin e 10-të, por mund të largohet nga ajo pozitë prej Dallas Mavericksit, që ka edhe dy ndeshje për t’i luajtur, ndërsa Oklahoma e ka edhe një tjetër.
Edhe
Fitorja e shtatë rresht për Miami Heatin
Cleveland Cavaliers që tashmë është kualifikuar në plejof, fitoi 118:94 kundër skuadrës tashmë të eliminuar, Orlando Magic.
San Antonio Spursi fitoi 129:127 ndaj Portland Trail Blazers, në ndeshjen e dy skuadrave që janë pa shans për t’u kualifikuar.