Thomas Meunier ka firmosur për katër vjet me Borussia Dortmundin, ka njoftuar klubi gjerman të enjten. Ai do të transferohet nga Paris Saint-Germaini pasi t’i përfundojë kontrata me klubin francez më 30 qershor.
Reprezentuesi i Belgjikës largohet nga Parisi pas katër vjetësh.
“Thomas Meunier është lojtar që ka dëshmuar cilësitë e tij në nivelin më të lartë, ndër të tjera në Ligën e Kampionëve dhe në ekipin nacional. Ai ka luajtur gjatë në nivel të lartë dhe do të na përforcojë shumë me përvojën që ka”, ka thënë drejtori sportiv i Dortmundit, Michael Zorc.
Meunier (28) ka nisur karrierën në Brugge me të cilën skuadër fitoi ligën dhe kupën e Belgjikës. Në vitin 2016 kaloi te PSG-ja. Me këtë skuadër ka fituar ligën tri herë dhe kupën dy herë. Mbrojtësi ka 17 paraqitje e tri gola në Ligën e Kampionëve. Ai te Dortmundi kalon si lojtar i lirë. Ka 40 paraqitje me Belgjikën.
“Dortmundi luan futboll që unë dua të luajë. Klubi është i njohur për tifozët entuziast, ndërsa atmosfera në ndeshjen ndaj Parisit ka ndikuar në vendimin tim. Dua të fitojë trofe me Dortmundin, ashtu si në Brugge dhe Paris”, ka thënë Meunier.