Ylli i Paris Saint-Germainit, Lionel Messi, dhuroi një tjetër paraqitje mbresëlënëse kundër Maccabi Haifas të martën mbrëma në Ligën e Kampionëve, me dy gola të shënuar.
Messi e hapi serinë e golave në fitoren 7:2, me gjuajtje të saktë nga distanca.
Argjentinasi ka shënuar 23 gola nga jashtë 16-metërshi, një më shumë sesa Cristiano Ronaldo.
Messi kishte thyer tjetër rekord të Ronaldos në Ligën e Kampionëve, kur shënoi ndaj Maccabit në ndeshjen e parë. Maccabi ishte skuadra e tij e 39-të, ndaj së cilës Messi ka shënuar gol në këtë garë.
Po ashtu, Messi, me 35 vjet e 123 ditë, është futbollisti më i vjetër në moshë që ka shënuar dy gola e ka dhuruar dy asistime në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.
Argjentinasi është i vetmi futbollist që ka shënuar më shumë se 10 gola e ka dhuruar më shumë se 10 asistime në të gjitha garat në top pesë ligat më të forta evropiane.
Por, Ronaldo është ai që prin në listën e golashënuesve më të mirë në “Champions”. Ka 140 gola të shënuar në 183 paraqitje. Messi ka 11 gola më pak, por ka 23 ndeshje më pak të luajtura.